Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë të mira, duke shtuar se si aleatë “nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdo herë”. Kurti është shprehur të hënën se Qeveria e ka për detyrë ta respektojë Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e ndaloi përdorimin e dinarit serb. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se zhvillimet e fundit rreth dinarit kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit SHBA-Kosovë.
“Unë nuk e kam mbajtur qëndrimin e asnjë shteti tjetër, por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur për raportet tona. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë, ne jemi partnerë, aleatë, miq, por kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale”, ka thënë Kurti.