-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ismail Syla: Lufta postmoderne e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryesoret

(Mbresa eseistike nga libri “Shtet i ri, burrë shteti modern, Hashim Thaçi – një biografi” Roger Boys dhe Suzy Jagger, SH.B. “Fan Noli” Tiranë, 2023)

BIBLIKE

Derisa në udhëtimin e parë drejt kështjellës së Rambujesë, Hashim Thaçi e bëri nga Kosova për në Shqipëri, pastaj nga aeroporti i Tiranës drejt Parisit me vështirësi të mëdha, duke arritur atje me një ditë vonesë, në udhëtimin e dytë për në Paris ai fluturoi nga aeroporti i Prishtinës. Herën e parë, duke e ditur që kishte fletarrestim dhe dënim në mungesë nga policia dhe gjykata serbe, ai nuk pati besim për të udhëtuar me komoditetin e avionit ushtarak francez. Çfarë “trofe” i ëmbël do të ishte shtënia në dorë e “Gjarprit” për sigurimin shtetëror serb. Por jo. Intuita e guerilit nuk do të lejonte asnjë lloj eksperimentimi.

Pas konsultimit dyjavor me komandantët e zonave dhe marrjes së bekimit për të nënshkruar marrëveshjen, Hashim Thaçi vendos të udhëtojë nga aeroporti i Prishtinës. Garancia e plotë dhe përgjegjësia do të merrej nga udhëheqësi i KDOM-it amerikan, Shon Bërns. Në autoblindën e portokalltë do të hyjë edhe kryesuesi i delegacionit të Kosovës. Me vete kishte dy bomba dore. Nuk ia falte vetes kapjen nga inspektotët ujqër serbë, të gatshëm për t’u hedhur mbi “viktimën” që aq shumë do ta dëshironin për ta futur në dorë. Garanca amerikane ishte aq e fuqishme dhe nuk ndodhi asnjë pengesë, asnjë tentativë për ta ndalur Thaçin (108).

Ky udhëtim i sigurt, hapja e udhës deri në aeroport krahasohet me hapjen e ujit në Detin e Kuq, kur Moisiut i çelet deti për të kaluar nga Egjipti drejt Tokës së Premtuar. Jehovi, Perëndia, Moisiut ia hapi detin. Autoblinda Humvee, përkatësisht fuqia politike dhe imuniteti i amerikanit Shon Bërns kishte forcë hyjnore. Thaçi hyri në aeroport, duke u vëzhguar nga policët serbë, që nuk guxonin ta arrestonin e as të shkrepnin plumba kundër tij, po vetëm t’i shkrepnin fotoaparatet.

DUALISTE

Ishte ambasadori austriak Wolfgang Petritsch ai që kishte zbuluar natyrën dualiste të Hashim Thaçit 30 vjeçar, që “qëndronte mbi të tjerët si më ushtaraku ndër politikanët dhe si më politikani ndër ushtarakët” (69), tipar që do ta përcjellë në të gjitha vendimet e mëtutjeshme, kur u bë “fytyra ndërkombëtare e Kosovës” (120).

Ky përcaktim që bëjnë autorët britanikë zbërthen por edhe e sintetizon njëkohësisht personalitetin e Hashim Taçit në ballafaqim me sprovat e ndryshme që i dilnin përpara. Brenda kuadrit të UÇK- së, Hashim Thaçi nuk ishte i armës. Nuk ishte në veprime operacionale. Ishte drejtor poltik. Në kuadër të delegacionit të Kosovës, që përbëhej nga përfaqësues të partive politike, ishte më “ushtaraku”, jo ushtarak i racës dhe profesionit, po si person politik i një formacioni me premisa ushtarake. Ai respektohej dhe u zgjodh kryetar delegacioni sepse prapa tij qëndronte “ushtria”.

Ky dualizëm u bë udhërrëfyes dhe çelës për marrjen e vendimeve. Ndonëse Rambujeja ia veshi kostumin e politikanit në nivel nacional, ai nuk mund të merrte vendime nën këtë kostum diplomati në një konferencë, në kohën kur pjesa ushtarake e UÇK-së qëndronte në llogore. Periudha djavore bëri që kostumi politik të harmonizohet me uniformën ushtarake. Nënshkrimi në Paris natyrën e tij dualiste e ktheu në unitet të qëllimit. Thaçi kishte imunitetin dhe miratimin e krahut ushtarak për të nënshkruar dokumentin, të cilin pala serbe, fatbardhësisht refuzoi që ta nënshkruajë.

Dualizmin e shndërruar në unitet të qëllimit, Hashim Thaçi e përdori me mjeshtri në bisedimet e rënda rreth çarmatosjes së UÇK-së, që kërkonte bashkësia ndërkombëtare, dhe këmbënguljes së tij që ajo të transformohet, duke ruajtur bërthamën e ushtrisë së ardhshme, të rregullt të Kosovës. Sipas Thaçit më lehtë ishte t’u kërkosh njerëzve të kapin armët, se t’u thuash t’i lënë ato. Pra, duhej ruajtur një pjesë e UÇK-së, që pas luftës u shndërruar në TMK, e cila disa vite më vonë u shndërrua në FSK-n e sotme. Ky unitet veprimi gjeti përdorim po ashtu në betejën rreth të drejtës së Kosovës për referendum, që të përfshihej në dokumentin e Marrëveshjes së Rambujesë. Nga “referendumi” u arrit te shprehja “e vullnetit të popullit”, “e aspiratave të qytetarëve”. E, siç provoi koha, kjo aspiratë u zvarrit tetë vite, kur më në fund Dokumenti i Ahtisaarit prodhoi pavarësinë e Kosovës, pas bisedimeve të Vjenës.

Edhe dilema midis pozicionit dual për të krijuar Gjykatën Speciale vetë Kosova apo OKB-ja nga Hashim Thaçi u bë si unitet qëllimi. Mund të bëhej nga Kosova, si shenjë e besnikërisë ndaj vlerave të demokracisë perëndimore, si shenjë besimi që lidershipi i UÇK -së nuk trembet nga rruga e përshkuar gjatë luftës çlirimtare, nuk trembet nga e vërteta. Për çdo dyshim të bazuar në fabrikimet armiqësore të Beogradit, mjafton të mos ndërhyjë politike hileçare, sepse liderët e UÇK- së nuk kanë as çka të fshehin as nga se të kenë frikë.

BINDJE

Pas humbjes së zgjedhjeve të para lokale në vitin 2000, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001 dhe atyre 2004, ambasadori amerikan Richard Holbrooke Hashim Thaçit ia jep një leksion. Po qe se për Hashim Thaçin do të votonin amerikanët, ai do t’i fitonte zgjedhjet. Një mendim i tillë bazohet tek simpatia e qytetarisë amerikanë për veteranët e luftës, për shpirtin luftarak amerikan. “Ti duhet t’i fitosh zgjedhjet bazuar në bindjet e votuesve dhe jo sepse të takon t’i fitosh ato”, këshillon diplomati “buldozer” amerikan, miku i Kosovës R. Holbrooke (199).

Një leksion të tillë Hashim Thaçi e kuptoi plotësisht. Pas një periudhe tetë vjeçare, Hashim Thaçi më 17 nëntor 2007 i fitoi njëkohësiht zgjedhjet lokale, 19 komuna, dhe zgjedhjet parlamentare, që i mundësuan pa kalkulime dhe imponime të krijojë qeverinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Depërtimi te bindja e qytetarit u shndërrua në art politik zgjedhor të Hashim Thsçit, si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai u bë kryeministër, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës si dhe president i vendit më 7 prill 2016.

VËREJTJE

Në këtë libër të biografisë politike të Hashim Thsçit kanë vlerë të veçantë mendimet sintetizuese si, p.sh. ai për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si fuqi guerile e vogël që arriti ta maksimalizojë përfitimin poitik, duke gjetur mbështetje nga aksi anglo – sakson, nga NATO, bazuar në filozofinë politike të Rrugës së Tretë të Socialdemokracisë Pragmatiste (Clinton – Blair).

Një tipologjizim origjinal i autorëve britanikë bëhet për luftën e UÇK – së si luftë postmoderne (koha e telefonit celular dhe internetit, efekti CNN, BBC) për dallim nga lufta në Bosnjë (koha e radios).

Po ashtu, në këtë libër qortohen rreptë dhe pa ekuivoke politikat hezituese të shteteve apo diplomatëve perëndimorë pa qëndrime të prera gjatë kohës së krizës së Kosovës, gjatë bombardimeve të NATO-s, dhe pas përfundimit të luftës. Qortohet burokracia e rëndë e OKB – së UNMIK, evidentohen shtete perëndimore që i pengonte shpallja e pavarësisë (Gjermania, Franca, Spanja) dhe dëshmohet vendosmëria amerikane që të mbyllej kjo çështje. Është interesant debati në apartamentin luksoz të të deleguarit amerikan Frank Vizner, ku ai, Holbrooke dhe Thaçi koordinohen për ditën e shpalljes së pavarësisë, e parathënë nga Presidenti Bush në vizitën që i bëri Tiranës zyrtare më 10 qershor 2007.

—-

*Autori është publicist, ish-këshilltar politik i Presidentit Thaçi

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit