Brukseli është kundër miratimit të ligjit për zonat e mbrojtura që kaloi sot në Kuvend vetëm me votat e socialistëve, pasi opozita është kundër. Në një reagim në faqen zyrtare në rrjetet sociale, delegacioni i BE-së në Tiranë thekson se duhet konsultim publik i mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës.
“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.
Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.
Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë” thuhet ne reagim.