-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Joschka Fischer: Evropa është e vetme

Kryesoret

Situata e Evropës në vitin 2024 është e vështirë, madje e rrezikshme. Në Ukrainë, lufta e agresionit e presidentit rus Vladimir Putin – një përpjekje për ta fshirë vendin nga harta dhe për të aneksuar territorin e tij – po hyn në vitin e saj të tretë. Në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, kandidati i supozuar republikan për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, po bën kërcënime të egra kundër aleatëve të vjetër të Amerikës, madje duke inkurajuar Putinin të sulmojë vendet evropiane që nuk shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së së tyre për mbrojtjen.

Nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor, ky ndoshta do të ishte fundi i NATO-s dhe i garancisë për sigurinë amerikane. Evropa do të ishte totalisht e vetme, e ngecur mes një fqinji perandorak rus dhe një Amerikë izolacioniste në anën tjetër të Atlantikut. Për t’i përkeqësuar edhe më shumë gjërat, evropianët vazhdojnë të kapen në mënyrë të dëshpëruar pas një grupimi të trashëguar shtetesh-kombe “sovrane”, edhe pse shumica janë sovrane vetëm në letër, sepse janë shumë të dobët për t’u përballur me realitetet aktuale gjeopolitike.

Situata kërkon një unitet më të madh evropian: pra, një politikë të jashtme të përbashkët, një aftësi të përbashkët ushtarake, një ombrellë bërthamore evropiane dhe gjithçka tjetër që përbën bazën e fuqisë sovrane kuptimplote në shekullin e njëzet e një. Megjithatë, evropianët nuk janë të gatshëm ta pranojnë këtë fakt.

Evropa është ekonomikisht e begatë, teknologjikisht dhe shkencërisht e avancuar dhe përgjithësisht një vend i mirë për të jetuar (me demokraci të fortë dhe shtet ligjor); por nuk është një fuqi e madhe. Ky është një status që ajo duhet ende ta arrijë, dhe duhet ta bëjë këtë shpejt nën presionin e ngjarjeve aktuale. Rreziku i qartë dhe i pranishëm që paraqet Putini me sa duket nuk ka qenë i mjaftueshëm. A do të arrijë ta zgjidhë këtë problem kërcënimi shtesë që vjen nga Trump?

Duke gjykuar nga përvoja e kaluar, është e lehtë të jesh pesimist në këtë drejtim. Lufta e Rusisë ka dy vjet që vazhdon dhe Evropa ende nuk është pajtuar vërtet me faktin se një fuqi e madhe po kryen edhe një herë një agresion perandorak, grabitqar kundër një fqinji më të vogël e paqësor. Përveç evropianolindorëve dhe skandinavëve, shumica e njerëzve në shumicën e vendeve evropiane – përfshirë klasën politike – ushqejnë iluzione të ankoruara në epokën e kaluar të paqes pas 1989-ës.

Kjo mendësi ka pasur pasoja në botën reale. Evropës i mungojnë municionet, mbrojtja ajrore, pajisjet e rënda dhe pothuajse gjithçka tjetër që i nevojitet Ukrainës për t’u mbrojtur në mënyrë efektive. Dhe tani, ekziston një rrezik në rritje që ndihma e SHBA-së për Ukrainën të përfundojë.

Megjithatë, në Ukrainë rrezikohen shumë më tepër gjëra sesa liria dhe sovraniteti i popullit të saj. E ardhmja e një Evrope demokratike është tashmë në pikëpyetje. Putin dëshiron një rishikim territorial në shkallë të gjerë të hartës së pas Luftës së Ftohtë, për të garantuar dominimin e Rusisë dhe për të rivendosur statusin e saj si një fuqi globale. Ai do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të arritur këtë objektiv dhe pothuajse me siguri nuk do të jetë i kënaqur duke marrë vetëm Ukrainën. Rusia është shndërruar në një ekonomi lufte dhe Evropa duhet ta marrë seriozisht këtë fakt.

Sa i përket kërcënimit të fundit të Trump, nuk duhet të na habisë. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump u tha evropianëve se ai e konsideron NATO-n të vjetëruar, duke argumentuar se ajo është mbajtur gjallë në kurriz të Amerikës dhe se SHBA-ja duhet të largohet prej saj. Që atëherë, përgjigja evropiane ka qenë kapja pas status quo-së, sikur asgjë të mos kishte ndryshuar. Tani, Evropa duhet të kompensojë kohën e humbur ndërsa përgatitet për skenarin më të keq: një tjetër inaugurim të Donald Trump si president në janarin e ardhshëm.

Për një kohë të gjatë, Bashkimi Evropian mund të mbështetet në suksesin e tregut të tij të përbashkët dhe rregullave të përbashkëta. Por përballë kërcënimit perandorak që buron nga Rusia dhe rrezikut për t’u braktisur nga SHBA-ja, ai do të duhet të bëhet një fuqi ushtarake dhe politike më vete. Kjo nënkupton intensifikimin e përpjekjeve të koordinuara të riarmatimit për të përmirësuar gatishmërinë e tij mbrojtëse dhe aftësitë parandaluese. BE-ja duhet t’i kushtojë objektivit të sigurisë së përbashkët të njëjtin fokus dhe të njëjtën energji që përdori për modernizimin e saj të suksesshëm ekonomik.

Le të mos e gënjejmë kot veten: Putin dhe Trump – të dy veçmas dhe së bashku – po imponojnë një ndryshim paradigme historike në Evropë. Ndërsa prosperiteti dhe mbrojtja sociale mbeten të rëndësishme, siguria e Evropës do të duhet të jetë prioriteti kryesor në axhendë për vitet dhe ndoshta edhe dekadat e ardhshme.

Në skenarin më të mirë të mundshëm, aleanca transatlantike mbetet në fuqi pas zgjedhjeve në SHBA. Por s’duhet të shpresojmë shumë te kjo. Evropa duhet të angazhohet fuqishëm për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse, sepse ajo ka një fqinj që përbën një kërcënim afatgjatë ushtarak dhe të cilit thjesht nuk mund t’ia kesh besën. Naiviteti i vazhdueshëm evropian mund të rezultojë fatal.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit