Presidenti Bajram Begaj ka pritur ditën e sotme një grup deputetësh, përfaqësues të partive të ndryshme politike të Britanisë.
Siç bëhet me dije në takim fokusi ka qenë marrëdhëniet midis dy vendeve, rritja e bashkëpunimit ekonomik si dhe lufta kundër krimit, duke mos lënë pas as situatën në rajon.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe e cilësoi Mbretërinë e Bashkuar si “një avokate të proceseve integruese të Shqipërisë”.
Presidenti i Republikës falenderoi qeverinë britanike për mbështetjen e dhënë në disa qytete në Veri të Shqipërisë përmes projektit “Perspektiva të reja” për të rinjtë dhe bizneset, si dhe paraqiti vizionin e tij mbi të ardhmen për një zhvillim të qëndrueshëm të këtyre zonave.
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu partneritetin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, sigurisë dhe çështjet e demokratizimit.