Tre muaj nga vrasja e Liridona Ademajt. Vëllai i saj, Leonard Ademaj mes dhimbjes shprehet se po ndjekin informacionet me shqetësim rastet për gjykime të vrasjeve të vajzave që janë bërë me gabime që çojnë në rigjykime apo edhe për raste kur gratë janë abuzuar fizikisht dhe dhunuesit enden të lirë ose reklamohen publikisht. Pas kthimit në rigjykim të rastit të Marigona Osmanit, Leonard Ademaj ka thënë se shpreson që rasti i Liridonës dhe rastet tjera të gjykohen shpejtë dhe pa gabime.
“Sot tre muaj që kur se na e kanë vrarë Liridonen tonë. Dhimbja sa vjen e shtohet e neve na mban shpresa që drejtësia nuk do të vonojë. Derisa e vajtojmë vajzën dhe motrën tonë, me dhimbje të thellë po i ndjekim informacionet për gjykime të vrasjeve të vajzave që janë bërë me gabime që çojnë në rigjykime apo edhe për raste kur gratë janë abuzuar fizikisht dhe dhunuesit enden të lirë ose reklamohen publikisht. Ne bashkëndjejme me të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre. Shpresojmë që rasti i Liridonës dhe rastet tjera do të gjykohen shpejtë dhe pa gabime. Vrasësit e grave e kanë vendin në burg, të mbyllur dhe larg syrit të publikut”, ka shkruar Leonard Ademaj.