Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka akuzuar PDK-në duke thënë se me akuzat për vjedhje votash në Mitrovicë, po kërkon shfajësim për dështim. Sipas tij vjedhja e votave ka ndodhur nga PDK-ja në kohën kur LVV-ja nuk ka qenë në garë zgjedhore.
“Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.
Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet ‘kapeni hajnin’, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë.
Partia që do të hyjë në histori se i nxori simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin. Turp!”, ka shkruar Murati në Facebook.
Deputeti i LVV-së shprehet se Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë sipas tij, merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.









