Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vendi i tij vazhdon të jetë i kërcënuar nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe armë, duke aluduar në organizatat kriminale serbe që veprojnë në veri të Kosovës.
Në një intervistë për agjencinë italiane “AGI” të shtunën, Kurti ka deklaruar se ata që janë pasuruar me luftën e fundit në Kosovë, janë kthyer në kriminelë dhe se tani po pasurohen në forma të tjera.
“Ka ende probleme në kufirin me Serbinë. Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë” ka thënë Kurti.
“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiçin dhe Putinin” shtoi ai.