-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: A zgjidhen morali dhe dinjiteti me referendum?

Kryesoret

Po ravijëzohet gjithnjë e më shumë mendimi se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, kur mes dy partive të mëdha, për dhjetë minuta u zhbënë shumë gjëra dhe u sanksionuan shumë të tjera, janë në thelbin e deformimit të votës. Po shtrohet me forcë idea se ndryshimet e domosdoshme në ligjin zgjedhor dhe kalimi në një referendum do të bënin zhbllokimin e votës së mbajtur peng deri tani. Për më tepër, në disa nga artikujt e fundit, edhe në DITA, mund të besosh se çdo votë në Shqipëri është e manipuluar, e blerë apo e shitur, se tregu i votës është në lulëzimin e tij të vrullshëm, dhe se ndryshimet, e sidomos referendumi do të të ndreqë të gjitha paudhësitë.

Duhet të jesh naiv të mos besosh se vota blihet e shitet, po aq lehtësisht sa në tregun e sendeve të përdorura. Blihet majtas, blihet djathtas, blihet në mes. Shitet nga e majta, shitet nga e djathta, shitet nga ata që qëndrojnë në mesin e artë dhe synojnë të kenë , të paktën , një vend në parlament për shefin e partisë së tyre.

Blerja dhe shitja e votës ka bërë që në parlament të kemi të paditurit, të pa dëshiruarit, oligarkë të fshehur nën petkun e politikës dhe, më të shumtë, politikanë që fshehin oligarkinë e tyre.

Pas vitit 1996 nuk kemi pasur asnjëherë zgjedhje politike apo vendore të pa kontestuara. Ende pa u bërë numërimi i kutisë së parë kanë ardhur kontenstimet. Më shpesh këtë e ka bërë e djathta, nga një fakt i thjeshtë, ata kanë humbur më shpesh. Në fakt, që pas 22 marsit 1992, ata kanë humbur gjithnjë. Kanë qëndruar në pushtet nga vjedhja e votës, jo nga besimi ndaj tyre.

Votime të tilla, ku nuk e di askush se nga vijnë votat dhe askush nuk mban përgjegjësi janë bërë të zakonshme, lehtësisht të besueshme, gjërësisht të përhapura, sidomos në zonat rurale dhe, po ashtu, lehtësisht të ditura.

Kur nuk është arritur të bëhet tinëzisht, atëherë janë hapur kutitë, janë futur duart, nganjëherë edhe krejt haptas, si në zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës nga opozita, Lulzim Bashën, ose, një rrugë efikase, gjërat kanë rrjedhur përmes numëruesve ose komisioneve zgjedhore. Ka një mijë e një mënyra për të shitur apo blerë votën, dhe, duhet pranuar, në këtë vend specializimi ka shkuar në shkallë të lartë.

A janë të mjaftueshme ndryshimet kushtetuese, përmirësimi i Kodit Zgjedhor apo ndryshime të tjera ligjore për të bërë votën të lirë, të mosvarme dhe të drejtë?

Të jemi të sinqertë: përvoja në Shqipëri ka treguar se referendumet, edhe kur janë zhvilluar në ato herë të pakta, kanë treguar se pak kush e lexon thelbin e tyre, dhe, edhe më pak i kuptojnë ato. Njerëzit e votojnë referendumin sipas bindjeve politike dhe, duhet pranuar, edhe votat për referendum  mund të blihen apo të shiten, edhe nenet kryesore të një referdnumi mund të hartohen në mënyrë që partitë e mëdha të shkelin të voglat, të vjetrat të mos u lënë frymë të rejave, shefat e mëdhenj të qëndrojnë në podiumet e politikës. Kush nuk e di këtë, atëherë është në kohën e duhur ta mësojë. Referendumi  është një formë e specifikuar e politikës për të sunduar përmes vullnetit të shumicës, që , në rastin tonë, në Shqipëri, pak ose aspak kuptohet.

Natyrisht unë jam për referendumet e mëdha. Për ndryshime thelbësore në në Kushtetutën e vendit, si për shembull zgjedhjen e Presidentit nga populli, por duke rritur atributet dhe të drejtat e tij, jo duke sanskionuar një president të dorës së tretë për një verdikti që quhet popullor, por është autokrat i dorës së parë. Unë jam për referendumet e mëdha, si për shembull për bashkimin e dy shteteve shqiptare në një shtet të vetëm, në formën e një federate apo diçka tjetër, pa ngurruar se ndërkombëtarët nuk do e kuptojnë një dëshirë të ligjshme dhe të drejtë historike. Jam edhe për referendumin në miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor, por pa e fetishizuar atë.

Është një punë e vështirë, por e urtë ta ndalosh një lëvizje apo të saktësosh një mendim përpara çastit kur fitorja e mundshme shndërrohet në rraskapitje apo krijon një mendim hipotetik, larg realitetit.

Referendumi është një formë, por jo zgjidhja. Aq sa mund të shërbejë për ndreqjen e gjendjes, aq edhe mund ta ngrijë atë.

*  *  *

Ne kemi një parlament që zotërohet nga shefat e partive. Përballë vullnetit të tyre parlamentarët tanë përkulen, nganjëherë bëjnë ndonjë vërejtje të mekur, ndonjëherë mërmëritin, por kurrë nuk kundërshtojnë. Rasti i një deputeti që ka votuar mbi 20 herë kundër vendimeve të partisë së tij , kur ajo ishte në qeverisje, përbën një përjashtim nga rregulli.  Dhe, në 34 vite pluralizëm , si ndodhte edhe në të shkuarën, ne kemi shefa autokratë të klasit të parë, që nuk marrin mundimin të të bindin. Por të urdhërojnë. Ndryshimi mes tyre qëndron në format që përdorin: njëri të “ bind” edhe përmes dhunës, këtë e ka dëshmuar që nga dita kur mori për herë të parë në duar partinë ku e deleguan; tjetri përmes “ ligjit” që ka krijuar për vete.

Të gjithë e dimë se kjo duket si rrjedhë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, kur shefi i forcës politike është në të drejtën e tij të bëjë listën e kandidatëve për deputetë, të rendit ata nga i pari deri tek i fundit, dhe se, ndryshimet e fundit që u bënë nuk e ndryshojnë dot gjendjen. Ata kandidatë që thyen herësin janë të pakët, dhe e arritën këtë ose përmes emrit të krijuar dhe figurës së lartë politike, ose përmes pasurisë dhe autoritetit që të jep financa e pasur familjare.

Shqipëria vuan nga maja: mungesa e një trupe deputetësh, që të mësuar me kulturë elitare dhe karakter të fortë, nuk lakmojnë pozita dhe janë të frymëzuar nga besimi në idenë e lirisë dhe të dinjitetit vetjak; që nuk influencohen as nga joshja, as nga frika, por që ushtrojnë me kryelartësi privilegjin për të bërë ligje të drejta, për të kritikuar dhe kundërshtruar administratën shtetërore, edhe kur ajo përfaqëson partinë e tyre politike, dhe, pas një senace parlamentare, kur kanë kundërshtuar apo miratuar ligje të drejta, pa frikë, kthehen në këmbë në shtëpitë e tyre.

Ne na duhet parlamenti që respekton formën tradicionale të lirisë, që dëgjon me respekt fjalën dhe ligjet e sjellura për miratim nga ekzekutivi, por kërkon që fjalën e fundit ta ketë parlamenti.

Sapo mbaron një seancë parlamentare të duket se ndodhesh në një paradë makinash të shtrenjta, veshjesh luksoze, ku moda transmetohet nga studiot televizive, ku debati që nuk është bërë në sallë vazhdon të bëhet në rrugë, ku mirëkuptimi që mungon në sallë gjendet në vilat e tyre në resorte luksi.

Një parlament i zgjedhur nga dëshira subjektive e shefit, që nuk kundërshton, që pret me ankth nëse do të jetë në listën e ardhshme për deputetë, është i gatshëm të shkelë mbi veten, mbi nderin dhe dinjitetin.

E njëjta shumicë qeverisëse që hoqi me bujë të madhe lojrat e fatit, e njëjta i vendosi përsëri. E njëjta që mburrej me zonat e gjelbëra, e njëjta po i shkel përsëri. E njëjta që demek quhet e majtë, pasi shpalli luftën e saj kundër oligarkisë, tani mban oligarkinë. Me një ligj të veçantë për investitorët strategjikë, të cilëve u fal detin dhe fushat, zonat bregdetare dhe të preferuara. Të njëjtët që u ngritën kundër kalimit të pronës nga shteti te privati për një euro, tani e përqafojnë. Çfarëdo ligji që mund t’u paraqesë shefi i partisë, pa mëdyshje, do e miratonin. Atëherë pse duhen, e , për më tepër, kaq shumë shpirtra të vdekura. Çiçikovët janë shtuar, influenca e Njëshit është rritur, njerëzit e zakonshëm janë varfëruar. Përmes ligjit? Edhe po, edhe jo! Më shumë nga mungesa e dinjitetit vetjak.

Në opozitën e tanishme, të quajtur Rithemelim apo Foltore është e njëjta gjë, ndoshta edhe më e turpshme.

Jo shumë kohë larg, sa të harrohet, Salianji ishte gati të gjakosej me foltoristët, duke mbrojtur godinën nga vandalët e Berishës. I trimëruar me hunj në duar, luftëtar i shekullit të IV, i shfaqur në mbrojtjen e kalasë së partisë së tij. Bardhi, ndoshta në figurat më përfaqësuese të pa-dinjitetit politik,  përballej “ me babain e Zenit”, të cilit kishte ndot t’ia përmendte edhe emrin, si dhe me Nokën, që i përmendte vilën e tij 760 mijë euroshe.

Tani është e turpshme për vetë dinjitetin njerëzor kurizulja e Bardhit, që pasi i dha munxët Berishës dy vite më parë dhe u përqafua me Bashën, tani i jep munxët Bashës, për të shkuar në përqafim me Berishën. Kjo është trupa drejtuese e opozitës, të cilën, kështu si është, nuk e shpëton nga humbja asnjë lloj plebishiti popullor, asnjë Kod Zgjedhor dhe asnjë blerje apo shitje e votave. Politika e opozitës , ku nuk ka as mendim, as vizion, as risi, është sa e hallakatur, aq edhe e pakujdesshme. Dinjiteti nuk vjen përmes ligjeve.

Njëri dhe tjetri janë aty ku e kishin vendin që në fillim, në prehërin e Berishës.  Nesër do të jetë aty edhe Tabaku. Si shkoi  Gjekmarkaj. Sapo e kuptuan se lëvizja Basha ishte pa të ardhme, shkuan të zënë qoshet e vendit te Berisha. Pas tyre edhe një grup “ dinjitarësh”,  pazari i të cilëve është se ku do të jetë vendi i tyre i ardhshëm në parlament. Sepse parlamentin e bëjnë vendet ku reshtohen, jo mendjet. Po të ishte për mendje, më shumë se gjysma e atij parlamenti do të ishte në rrugë.

A i ndreq këto gjëra, a e bën njeriun të dinjitetshëm një ligj i ri zgjedhor, apo, edhe më tej, një referendum për të miratuar Kodin e ri zgjedhor?

Në këto 34 vite pluralizëm, të quajtura demokraci, ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi shefa partish të mëdha që kishin fuqinë e një mbreti, pa maturinë që duhet të ketë një mbret.

Referendumi duhet të heqë fillimisht “ mbretërimin” e shefave partiakë, duhet të largojë urgjentisht të drejtën e tyre të pakufishme për të zgjedhur, si dhe bindjen e tyre se janë të pazevendësueshëm.

Idesë politike se “ pas meje, të bëhet qameti”, u duhet vënë idea se , qëndrimi më gjatë i juaji, mund të jetë qameti.

*  * *

Vota e lirë, e mosvarme, e drejtëpërdrejtë, nuk mund të ruhet as me eskadronet e Armatosura të Ruajtjes së Votës, si ndodhi me grupazhet e ngritura nga Gazmendi, të cilat nuk ishin asgjë tjetër, veçse grupet paraushtarake të stilit të ardhshëm të qeverisjes, por nuk ruhet as me bandat pranë qeverisë, të cilat ushtrojnë dhunë të dukshme, megjithëse të paprekshme. Prania e Skuadroneve dhe e bandave është në të vërtetë pasqyra e ardhshme e qeverisjes.

Mënjanimi dhe, pastaj zhdukja e tyre bëhet përmes ligjit. Cilit ligj?

Të gjitha partitë politike kanë pasur “të fortët” e tyre. Nganjëherë kjo ka kaluar kufijtë e çdo lloj maskarallëku. Kur ish-kryeministrit socialist i pritej rruga për në Shkodër, nga bandat e Berishës, disa nga të cilat tani janë “më socialiste” se Erion Braçe, shefi i Foltores aso kohe deklaronte pa droje se: “Përse duhet të shkojë në Shkodër Fatos Nano, atje nuk e duan”, si një mall i vjetër për ndarjen e Shqipërisë në veriun “demokrat” dhe jugun “socialist”.

Kur i sapo zgjedhuri president Meta shkonte në Lezhë, për zgjedhjet politike, ai lëshonte kushtrimin se “Po vjen Ilir Meta me shokët e tij”, që ishin bandat e tij. Kur Edi Rama fiton në Dibër, atij i japin sinjalin “tërmet, tërmet”, megjithëse dihej se kishte mjaft vota të blera e të shitura.

A hiqen bandat përmes referendumit, që shpallet si zgjidhja magjike e gjërave?

Shqipëria ka ligje të shumëllojshme, të përafruara me ato të BE, ajo që mungon është zbatimi i tyre. Sepse politika, ashtu si e ka shtypur deri tani, edhe pas një referendumi të mundshëm, mund të shtypë përsëri struktura të drejtësisë. SPAK, i cili jep shpresë për të dalë nga nokdauni, ku ishte drejtësia shqiptare, sulmohet ashpërsisht nga politika. Nga njëra anë përmes gjuhës së dhunës, nga ana tjetër, përmes diktatit të ndërmjetëm.

Liderët e “fortë”, të ashpër, që janë vetë jashtë ligjit apo duan të thyejnë ligjin, nuk janë veçori vetëm e Shqipërisë. Në Shtetet e Bashkuara, dy zgjedhjet e fundit presidenciale, ku nga njëra anë ishte domosdoshmërisht Donald Trump, si në rastin e fitores së tij, e më tepër në humbjen e tij, zgjedhjet janë kontenstuar, janë bërë shpallje të hapura për vjedhje, shitje dhe manipulim të votave, deri sa janë bërë përpjekje të hapura për grusht shteti institucional. Ende sot vazhdon rituali i votave të vjedhura dhe republikanë të shumtë janë të bindur se vjedhjet e votave dhe manipulimet e shumta kanë ndodhur, deri në ndryshim të liderit të Shtëpisë së Bardhë.

Në Shqipëri kemi liderë që gjithnjë kanë synuar të vendosin autoritetin e tyre me forcë. Pa njohur ligjin themeltar të shtetit, por unin e tyre politik, që herë pas here ka marrë formën e tiranisë.

Që në vitin 1646 parlamenti anglez  vendosi përmes një ligji të veçantë se, në rast konflikti pakica duhet t’i nënshtrohet shumicës e t’i japë mundësinë për të qeverisur.

Në Shqipëri të gjitha zgjedhjet politike apo vendore janë kontestuar. Gjithnjë kontestuesi më i madh ka qenë kreu i Foltores. Edhe kur ka qenë vetë në pushtet, edhe kur ka rënë nga pushteti.


Blerja apo shitja e votës nuk është gjë e paditur në Shqipëri. Po bëhet praktikë e zakonshme dhe po fiton të drejtën e qytetarisë. Megjithëse jam i bindur se fenomeni nuk është aq masiv , sa të përmbysë verdiktin, përsëri gjendja është shqetësuese, aq më tepër se është me tendencë rritje.

Kjo nuk zgjidhet përmes burakracisë politike apo juridike.

Edi Rama, si kreu i opozitës, në vitin 2009 e mësoi se nuk mund të vinte në pushtet nëse nuk do të kishte pranë vetes dy krahë, që edhe pse të paligjshme, kishin fituar “ligjshmëri”: oligarkët e pasur dhe bandat e forta.

Në vitin 2009, megjithëse mandati i parë katër vjeçar i Berishës si kryeministër kishte qenë i dobishëm, ishte krejt e mundur të ndodhte ndryshimi i qeverisjes. Të rinjtë ishin të lidhur me figurën e Ramës dhe të larguar nga idetë e përsëritura të Berishës. Votat u vodhën marrëzisht. Megjithëse kreu i opozitës kërkoi gjënë më minimale, hapjen e disa kutive, edhe pse nuk kërkoi ndryshimin e rezultatit, Berisha në pushtet nuk bëri asgjë tjetër, veçse, në mënyrë demonstrative dogji kutitë në bregun e lumit të Erzenit, ku ishte ende shumica e bandave të lidhura me pushtetin e tij.

Duam apo jo, mbështetja te oligarkia financiare dhe tek “të fortët” e qyteteve është e pranishme. Politika futi djallin në valle e tash nuk del as vetë nga vallja.

Interesat e njerëzve mund të bien në  ujdi, por jo ndërgjegjet. Halli është si të arrihet forcimi i ndërgjegjes dhe prishja e ujdive?

Nga luajalizmi shumë vetë mbrojnë një çështje, edhe pse e dinë se nuk është e drejtë.

Dhjetori i vitit 1990 ishte fillimi i zhdukjes së despotizmit monist, por nuk e përligj despotizmin e shefave, të oligarkisë politike e financiare dhe të bandave. Si çdo asamble që qëndron gjatë në pushtet, edhe kjo e sotmja është e prirur të bëhet një autokraci kolektive. Gradualisht ajo po e humbet cilësinë pa të cilën nuk mund të qeveriset, ndjenjën e së mundshmes.

Saado entuziastë të jenë njerëzit këto nuk zgjidhen përmes një Kodi të ri Zgjedhor, dhe as përmes miratimit të tij në një referendum. Është naive të mendosh se mund të ndërrosh shpejtësinë e lëvizjes thjeshtë përmes një ndryshimi të jashtëm, pa pasur atë të brendshëm. Në Shqipëri është krejt normale që djalli i kryengritjes të marrë shpesh pamjen e engjëllit të reformës. Kush mund ta besojë se opozita e sotme është një strukturë e reformuar. Askush! As opozita vetë. Në fakt, ajo është e deformuar! Kush mund të besojë se lëvizjet e bëra nga shefi i qeverisë flasin për reformim të saj? Askush, vetëm militantët besnikë që nuk duan të mendojnë.

Këto gjëra nuk zgjidhen me një ndryshim ligji, sado i mirë të jetë ai.

Këto kërkojnë dy gjëra themelore: krijimin e një korpusi të ri ligjor, që nga përcaktimi i kandidatëve për deputetë, kontrolli mbi financat, pasurinë, figurën politike, ndryshimi i forcës së liderit mbi të ardhmen e parlamentit, dhe, e dyta, jo më pak e rëndësishme, ndëshkimi ndaj shkeljes së ligjit. Jo thjeshtë ndëshkimi i disa qytetarëve mëkatarë, por i atyre që qëndrojnë sipër tyre. Që përcaktojnë qëndrimet. Dhe që duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre deri në fund. Jo vetëm morale.

Mjaft më me moralin e rremë të një klase politike dhe figura liderësh që nuk e njohin moralin./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit