-sidi education-spot_img
29.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Mes dy rrymave që përplasen, Argita apo Bardhi?

Kryesoret

Në njerën nga prononcimet e fundit, Argita Berisha, bija e shefit të Rithemelimit , ndryshe nga më parë, shfaqi edhe ambicien e saj për të qenë një ditë drejtuese e forcës politike, ku ishte një nga themeluesit , e pastaj rithemelues, babai i saj. Megjithëse prej kohe e kishte mohuar këtë, duke ngulur këmbë se ajo i përkiste një profili tjetër dhe nuk kishte të bënte me politikën, përsëri “ dardha bie nën dardhë”. Edhe babai i saj, në fillimet e pluralizmit pati deklaruar se do të qëndrojë si drejtues i PD-së vetëm një mandat, pasi në Shqipëri kulti i drejtuesit, që njihej si kulti i individit, kishte qenë i tmerrshëm, por vazhdon të jetë edhe kësaj dite, e, për më tepër, vazhdon të thellohet zullumi i asaj që lidhet me veprimet e tij.

Është drejta e Zonjës Malltezi – Berisha të jetë pjesë e politikës. Prej kohe e kam menduar këtë dhe nuk e di pse e ndjeja se do të vinte një ditë e tillë. Disa vite më parë, kur Lulzim Basha sapo ishte zgjedhur si drejtues i PD-së, pikërisht nga babai i saj, duke spostuar Olldashin dhe denigruar figurën e tij – për turp tani përgjërohen të gjithë për të – në një darkë në Vlorë, me miq opozitarë,që ende nuk e kishin hequr zakonin të flisnin për politikë që në fjalët e para, u thashë se zgjedhja e Bashës ishte një gabim i madh, për të cilin do të kishte edhe një ndëshkim politik për vetë opozitën, dhe se , nëse do të isha në grupin e opozitës, do të parapëlqeja të mendoja për një dorë të fortë, me autoritet brenda tyre, si Argita Berisha.

Dhe kjo, si duket, po bëhet realitet përtej një profecie të një njeriu që ka qenë i kundërt me mendimet e tyre. Në politikë asgjë nuk është e rastësishme, As lëvizjete tanishme në lidershipin e ardhshëm nuk janë të rastësishme.
Zoti Berisha e kishte menduar gjatë këtë, duke synuar të gjejë kohën e duhur, njerëzit e duhur që do e rrethonin atë , dhe, mbi të gjitha, përkushtimin që do të kishin rreth saj disa nga figurat e njohura dhe me autoritet në PD-në e Rithemelimit ,apo në krejt opozitën.

Daljet e herë pas hershme të Malltezit në veprimet e opozitës, gjithnjë e më të shpeshta, megjithëse në skalionin e dytë, janë përgatitur nga një dorë mjeshtërore, jo e ngutshme si ajo e zotit Berisha; janë përllogaritur të gjitha hapat dhe dukjet e saj, rrethinat ku do të shfaqej dhe fjalët që do të mbante, deri sa u bë pjesë e një evinimenti thelbësor, si ajo e konventës zgjedhore të Rithemelimit, ku babai i saj u miratua thujase unanimisht si drejtuesi i ri.

E përsëris, nuk ka asgjë të jashtë ligjshme në veprimet e saj. Megjithëse është e shpallur non grata nga dy shtetet e fuqishme anglo saksone, kjo nuk e ndalon atë të jetë në drejtimin e opozitës, nëse vetë opozita e pranon këtë fakt. Dhe, si duket, e gjithë lufta e bërë në vitet e fundit kundër Departamentit Amerikan të Shtetit, figurave drejtuese në Mbretërinë e Bashkuar, apo përgjithësisht kundër mendimit progresiv perëndimor ka pasur për qëllim pikërisht këtë hapje të rrugës, edhe për një figurë të sanksionuar prej tyre dhe të përjashtuar nga bashkëpunimet e qëllimshme. Korruptive apo në minimin e drejtësisë. Bëmat e deri tanishme të Zonjës malltezi dhe familjes së saj janë të njohura; e njohur është pasuria e saj galopante, ashtu si ka ende enigma të panjohura për mënyrën e pasurimit dhe veprimet e çiftit malltezi në Kosovë. Fakti i lidhjeve të furishme të kësaj familje me një figurë problematike si Fazlliq, nipi i Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret serb në kohën e Millosheviqit, marëdhëniet e ngushta familjare dhe financiare, janë përherë enigmat që nuk do të mund të zgjidhen, por, gjithësesi me pasvijë të një nëntoke serbe.

Në anën tjetër është një figurë e çuditshme në opozitën e tanishme. I pa frymë politike dhe pa çasje ndaj asaj që ka ndodhur, i mburrur se në dhomën e pritjes kishte fotografinë e ish presidentit, të cilin më vonë e quajti thjesht “ babai i Zenit”, duke ia përkujtuar mëkatet e të birit që i ati ishte munduar të ia mbyllte.
Bardhi përfaqëson një falangë politikanësh të rinj, që , ashtu si janë bërë rastësisht pjesë e opozitës, ashtu mund të ishin pjesë e qeverisjes. Kjo ndodh në të dy anët. Por Bardhi, mes atyre që dukeshin si të pa frymë dhe pa fuqi bindëse në opozitën e tanishme, megjithëse me seriozë dhe me të lidhur me bindjet e tyre, ishte dhe vazhdon të jetë më i aftë për të krijuar rreth vetes mjedisin e domosdoshëm mbytës, ku të spikatë roli i tij për të dalë nga rrethi vicioz, në të cilin ai shpesh herë ka qenë pjesë e krijimit të tij.

Ky brez politikanësh, shpesh herë pa asnjë lloj bindje dhe përgjithsisht të përkdhelur në gjenezën e tyre nga sistemi i shkuar, apo të pa ndëshkuar nga ai sistem, tani nuk duan thjeshtë të jenë pjesë e qeverisjes së mundshme, por vetë qeverisja. Ata i përkdhel ideja se mundësia e qenies së tyre në drejtimin e një force politike apo në strukturat e larta të saj, nuk është asgjë tjetër veçse plotësimi i një egoje që pak ka lidhje me politikën, se sa me fuqizimin e tyre financiar, krijimin e një kaste politike oligarkie, që sundon përmes pushtetit dhe parasë, dhe ku, ata që kishin qëndruar stoikisht në vitet e vështira të jetës plurale, sidomos pas vitit 1997, ishin arketipat që duheshin spostuar, hequr, mënjanuar dhe larguar. Njëri shembull është largimi i Olldashit dhe i një grupi rreth tij, përgjithsisht të rinj, por aktivë dhe nën jë periudhë kohe, tepër agresivë, që , të rinjtë e ardhur nga askushi, i larguan pa bujë e zhurmë, përmes forcës që i vinte nga lart dhe lidhjes me shefat e përkohshëm të drejtimit partiak.

Tani, mes dy rrymave që përplasen me njëra tjetrën , nuk do të ketë qetësi. Në fakt është rikthyer përsëri 8 janari i sulmit mbi selinë e shqupasve, ashtu si dodhi pak vite më parë, për të pasur çelsat e një godine, e bashkë me të, edhe çelsat e opozitës.

Bardhi ka qenë në mbrojtësit “ e kështjellës”, së bashku me grupin e të rinjve të filtruar brenda opozitës. Bile ishin më aktivët, ata salduan portat, vendosën hekurat në dritare, grumbulluan gazin lotsjellës, gjetën hunjtë dhe, nën shembullin e tyre, ndodhi përplasja më e turpshme në pluralizëm brenda të njëjtit lloj. Asaj dite, nëse nuk do të kishte ndërhyrë shteti, që fillimisht gajasej me çfarë ndodhte, gjërat mund të shkonin më tej se shkuan.

Përplasja nuk është mes dy mentaliteteve apo dy filozofive politike. Nuk bëhet fjalë as për mentalitet politik, as për filozofi dhe ide të ndryshme politike. Bëhet fjalë thjeshtë për zaptimin e një strukture, e cila, ose do të vazhdojë të jetë pronë e familjes, ose do të kapet nga një grup figurash të reja në politikë, që të përbashkët kanë vetëm zaptimin e foltores, dhe që më pas, do të copëtohen brenda vetes.

Berishës së madh i duhet vazhdimi përmes familjes. Ai, në tetë vite bëri provën më të vështirë të jetës së tij politike. I besoi partinë një njeriu që e kishte si birin e tij politik, njëjtë të afërt me fëmijët e tij biologjikë, duke qenë i bindur se ai, Basha, sikur qameti do të bëhej, nuk do të harronte kurrë njeriun që e mori nga zyrat e dyshimta dhe nga lidhjet e turpshme të Fazlliqit, për ta bërë njeriun numur 2 në parti dhe në qeveri. Megjithëse ai kishte bërë për Bashën sakrifica të mëdha, si mbulimi i vjedhjeve të Rrugës së Kombit dhe heshtjen e gjykimit përmes proçedurës, kishte shpallur se ngjarjet e mëdha si heqja e vizave apo pranimi në NATO ishin vepër e tij, birit politik, përsëri, ndjeu se e braktisi lirisht, ose , më saktë, ishte njëri nga dy njerëzit që përgatitën fundosjen e tij. Në çastin kur ai besonte se Basha do të refuzonte Departamentin Amerikan të Shtetit për hir të tij, ndodhi e kundërta. Ai bratisi Berishën. Tani, si mund t’i besojë një njeriu që vjen direkt nga shkolla Basha, që , jo shumë kohë më parë ia përmendte haptas zullumet e të birit, që kishte përgatitur hunjtë dhe gaz lotsjellës kundër njerëzve të tij? Berisha është mjeshtri i vjetër i pas skenës: ai e di mirëfilli se të rinjtë e grumbulluar rreth tij, pasi u përpoqën të ia hanin kokën, tani ia përkëdhelin, për të gjetur kohën më të përshtatshme për ta hequr qafe. Dhe kësaj radhe, familjarisht.

Malltezi është njeriu më i besuar i tij. Por edhe figura që mund të pranohet më lirisht nga rithemeluesit. Ajo ka besimin e njeriut simbol të tyre, i cili, megjithëse e di se nuk mund të ngrihet më në atë çka dëshiron, përsëri i duhet mburoja politike për të mos lënë fmijët e të afërmit e tij në rrugën e madhe, megjithë pasurinë marramendëse që kanë. Shumë sivllezër të tij politikë në Ballkanin e trazuar kanë pasur këtë fat.

Bardhit i duhet pushteti brenda opozitës për të synuar qeverisjen e shqiptarëve. Në një moment të tillë ai do të jetë i gatshëm të braktisë Beridhën, Metën e gjithë të tjerët, edhe më lehtë se sa ndodhi me Lulzim Bashën. Pushteti është ëndrra e tij, e, megjithëse e di se politikisht nuk e ka takatin, shpreson ende te lëvizjet e tij ulrish hipshe, për të gjetur rrugën e qëllimit.

Bardhi është nga ata njerëz që zakonisht shfaqin natyrë melankolike, shpesh pre e anktheve, tani e kalon një pjesë të jetës së tij në gjendje ekstaze mistike, rob i emocioneve më tepër se njerëzit e zakonshëm, shpërthimet e tij të jashtme shfaqin natyrën e dytë të tij, atë të makthit dhe të ndjenjës së të ardhmes të pa ditur, megjithëse e di se bëhet qesharak. Në këtë moment ai përpiqet t’i ngjajë Berishës, një kopje e tij, që nesër të ketë më lehtë për të qenë i pranuar.
Asnjëri nga liderët e deri tanishëm të shtetit shqiptar nuk i ka bërë bijtë e tij pjesë të rëndësishme të politikës apo të qeverisjes. As drejtuesit e djeshëm, as të sotmit.

Berisha si duket do të jetë i pari. Do e bëjë këtë nga halli, jo nga malli.

Në vetë Rithemelimin shumë njerëz janë mësuar ta shohin atë si një përsonalitet të shenjtë, dhe kundërshtimi i ideve dhe vendimeve të tij i duket ende një veprim i përbindshëm. Nuk do e kundërshtojnë edhe për vazhdimin familjar të partisë së tij. Në fund të fundit, prej kohe ajo është kthyer në një pronë private, përmes trinomit, babai- e bija – i biri.

Nëse një ditë do të zhgënjehen thellë, kjo nuk ka të bëjë me pendimin. Do e kuptojnë me vonesë se e gjithë kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse veprimet e një njeriu që diti ta tërhiqë një pjesë të popullit drejt greminës, duke e lënë palën tjetër të kthehej në një autokraci , që edhe pa këtë fushë të lirë, është mjaft e pushtetshme dhe e dëmshme/ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit