Burgosja e Fredi Belerit ka bërë jehonën e saj në mediat greke, kryesisht me kritika dhe ironizim ndaj vendimit të marrë nga GJKKO si dhe sulme ndaj qeverisë. ‘Protothema.gr’ shkruan “misioni u realizua” duke i referuar një artikull të veçantë pikërisht burgosjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Një artikull në të cilin përmendin të gjitha të metat sipas tyre ky vendim gjyqësor duke mos nguruar të shprehen se ishte i manipuluar.
Në vëmendje sillet dhe një herë roli i Edi Ramës në këtë mes duke cituar se ai është personi që donte Belerin pas hekurave. Në fokus është gjithashtu dhe marrdhënja greko-shqiptare.
Pjesë nga artikulli i “protothema.gr”
Dënimi i Belerit ishte i paracaktuar dhe Rama nuk hezitoi asnjë moment të zbatonte këtë plan të pacipë, duke llogaritur indiferencën ndaj kësaj çështjeje të BE-së dhe SHBA-së, pasi të vetmet reagime erdhën nga Athina, e cila ka ngritur pengesa. drejt rrugës europiane të Shqipërisë.
Dje reagoi dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë ku ngrinte në pikëpyetje se është shkelur shteti i së drejtës dhe është vënë në pikëpyetje ligjshmëria e procesit të deritanishëm.
“Qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe pret një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkallën e dytë të juridiksionit”. Askush nuk e pret që në Gjykatën e Apelit çështja Beleri të ketë një fat ndryshe nga GJKKO, e cila tregoi se thjesht po zbaton urdhrat e lidershipit politik.
Kjo tregon qartë se nuk është drejtësia, por pushteti politik që zgjodhi të metodizojë anulimin e rezultatit zgjedhor dhe uzurpimin e Bashkisë së Himarës.
Pyetja e madhe tani është nëse Athina, pavarësisht mjedisit jo fort të favorshëm, do të insistojë në ushtrimin e presionit ndaj Tiranës për t’i dhënë mundësinë një gjykimi të drejtë. Së dyti, për të shfajësuar Belerin, në mënyrë që ai të marrë përsipër detyrën e tij në Bashkinë e Himarës, apo do të pranojë talljet e deritanishme të autoriteteve shqiptare.