“Nëse Evropa dëshiron paqe, ajo duhet të kalojë në një mënyrë “ekonomie lufte” dhe të forcojë ndjeshëm aftësitë e mbrojtjes përballë kërcënimit të paraqitur nga Rusia”.
Kështu deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i cili u shpreh se mbështetja e SHBA-së nuk mund të merret më si e mirëqenë dhe vendet e BE-së duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre.
Michel tha se kontinenti europian po përballet me sfidën më të madhe të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore. “Nëse nuk marrim përgjigjen e duhur të BE-së dhe nuk i japim Ukrainës mbështetjen e mjaftueshme për të ndalur Rusinë, ne jemi të radhës.
Prandaj, ne duhet të jemi të gatshëm për mbrojtje dhe të kalojmë në një ekonomi lufte. Rusia është një kërcënim serioz ushtarak për kontinentin tonë evropian dhe sigurinë globale”. Presidenti i KE-së dënoi mungesën prej dekadash të financimit dhe investimeve në ushtritë evropiane.