Një konflikt ka përfunduar në plagosje me thikë pasditen e sotme në qytetin e Vlorës.
Uniformat blu bëjnë me dije se rreth orës 17:00 në fshatin Shërshishtë një 30-vjeçar A.B., ka plagosur me thikë pas një sherri 35-vjeçarin E.A.
I plagosuri është dërguar në spitalin e Vlorës ndërsa 30-vjeçari është kapur nga policia.
“Plagosi me mjet prerës (thikë), një 35-vjeçar, si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë Rrugore dhe atyre të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, identifikohet, kapet dhe shoqërohet, 30-vjeçari.
Rreth orës 17:00, në fshatin Sherishtë, Vlorë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në vendin e quajtur “Landfilli”, shtetasi A. B., 30 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. A., 35 vjeç.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku si rezultat i veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit A. B., dhe shoqërimin e tij, në Komisariatin e Vlorës, për veprime të mëtejshme procedurale.
Shtetasi i dëmtuar E. A. ndodhet në spitalin e Vlorës, në kujdesin e mjekëve.
Vijon puna për dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme” thuhet në njoftimin e policisë.