Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, thotë se si gjykata që ai drejton, ashtu edhe gjithë sistemi i drejtësisë po përballen me sfida, por shpreh besimin se ato janë në rrugë të mbarë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Sadushi, i cili ndodhet në Uashington me një delegacion të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, tha se reforma e drejtësisë, që filloi tetë vjet më parë, po jep rezultat. Ai thotë se akuzat politike dëshmojnë se organet e reja të drejtësisë po funksionojnë.
Zëri i Amerikës: Zoti Sadushi, megjithëse reforma në drejtësi u vlerësua për atë që arriti, për ngritjen e institucioneve të reja, ajo la pasoja edhe në Gjykatën e Lartë, e cila u plotësua me gjyqtarë vetëm vitin e kaluar. Në këto kushte cilat janë sfidat me të cilat përballet Gjykata e Lartë sot?
Sokol Sadushi: Gjykata e Lartë dhe gjithë sistemi i drejtësisë është përballë sfidave. Në fakt drejtësia është sfidë në vetvete. Kur u formatua në vitin 2020, Gjykata e Lartë është përballur me një sfidë, sepse vetëm një gjyqtar ishte në atë gjykatë për shkak të procesit të vetingut, që e shkarkoi pjesën dërrmuese. Dukej një situatë e pashpresë, me një volum prej 36 mijë dosjesh. Në fakt, ritmi është i kënaqshëm dhe sfida që ka Gjykata e Lartë për të bërë të mundur uljen e kësaj ngarkese, për të parandaluar ardhjen e çështjeve të reja, për të bërë të mundur që vendimet të ekzekutohen, që qytetarët të marrin drejtësi në mënyrë sa më të shpejtë; sigurisht që të gjitha këto në vetvete janë sfida. Tashmë me 18 gjyqtarë, Gjykata e Lartë funksionon në mënyrë të plotë, por ka vështirësitë e veta, që lidhen me aspektin e burimeve njerëzore, infrastrukturore dhe financiare. Gjykata e Lartë ndeshet me këto çështje në mënyrë të përditshme, por ne kemi marrë përsipër që të bëjmë maksimumin e mundshëm që kjo gjykatë të bëhet një gjykatë që jep shpresën, dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë, pavarësisht problemeve të shumta që ndeshim përditë.
Ndiqni intervistën e plotë: VOA