Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu nga Gjirokastra u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të përgatiten për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës dhe për një lëvizje të madhe politike.
Ervin Salianji deklaroi se qeveria Rama është e zhytur në zullume dhe se paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë për personat me rekorde kriminale.
“Është rasti sot këtu ta diskutojmë sesi edhe një bashki që e morën dhunshëm në qarkun tuaj, bashkinë në Libohovë e patë si kryebashkiaku aktual ishte i përfshirë në trafik droge.
Ishte kthyer në shkelës së ligjit dhe bashkëpunëtor të trafikantëve dhe sot drejton një komunitet. A është dita sot që në një situatë normale që qeveria, kryeministri, ministrja ti kërkojë ndjesë qytetarëve të Gjirokastrës.
A jemi në të njëjtën situatë me kryebashkiakun e Tepelenës, analfabet funksional?
A jemi sot përpara fakteve ku aferat qindra miliona euroshe në shëndetësi, tek rrugët, tek inceneratorët, në bujqësi, ku fermerët duhet të merrnin para nga taksapaguesit evropiane përveç taksapaguesve shqiptare, të cilat kanë shkuar edhe ato tek personat me rekorde kriminale.
Për këtë arsye janë bllokuar fondet e AZHBR-së, për shkak të hetimeve duke lënë fermerët dhe blegtorët pa ndihma, sepse paratë kërkon ti marrë vetëm qeveria”, u shpreh deputeti i PD.
Po ashtu, Salianji tha se inkurajon Prokurorinë e Posaçme që të mos rrijë në paradhomë, por të futet tek njerëzit e fuqishëm, aty ku siç tha ai qelbet peshku.
“Si ka mundësi që treçereku i bashkëpunëtorëve të Edi Ramës në bashki dhe qeveri janë sot përpara drejtësisë, ndërsa Rama dhe drejtuesit politik të tij jo.
A mund të hanë ata dardha dhe kumbulla pa dijeninë e Ramës? Ne kemi votuar konsensusin për drejtësinë e re. SPAK të shkojë tek koka, aty ku qelbet edhe peshku në këtë vend” tha Salianji.