Furrat e bukës, që kanë të integruara shërbime të tjera si pastiçeri apo bar-kafe, do të diferencohen në tarifat që paguajnë për energjinë.
Gjatë një tryeze të mbajtur javën e shkuar me përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, zëvendëskryeministrja, njëhershëm ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe administratori i OSHEE Group,
Enea Karakaçi, bënë të ditur propozimin që do të dërgohet në Entin Rregullator të Energjisë që vendos këto subjekte në një raport të drejtë pagese.
Balluku tha se në vend janë të paktën 2600 furra buke dhe kjo e ka bërë qasjen ndaj kësaj çështjeje të kujdesshme, për ta trajtuar secilën prej tyre sipas kushteve ku ndodhet.
Aktualisht furrat e bukës paguajnë një tarifë 7.6 lekë/kWh sipas një çmimi të vendosur nga Enti vite më parë, por që nuk merr parasysh ndryshimet apo evoluimin që ka pësuar ky treg viteve të fundit.
“Ka pasur disa problematika dhe diskutime me përfaqësuesit e shoqatës, sepse tipologjia e biznesit ka ndryshuar, nuk prodhohet vetëm bukë, por janë zgjeruar dhe kanë shërbim më të gjerë deri te bar-kafe.
Gjatë disa viteve ka pasur disa tentativa, por nuk është gjetur dakordësia për alternativat e propozuara si për ndarjen me dy matës apo me dy NIPT-e apo ambiente specifike”, – tha ai (Monitor)