Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi të martën presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për siç tha trysni ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë pa dallim, jemi të përkushtuar që serbët që jetojnë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtat që atyre u jep Kushtetuta, por për fat të keq disa prej tyre po lejojnë që të mbahen peng nga ana e (Aleksandar) Vuçiçit”, tha presidentja Vjosa Osmani duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të kundërshtojnë këtë trysni të presidentit serb,
“Po ashtu ta ndëshkojnë (Aleksandar) Vuçiçin i cili nuk e ka mbajtur fjalën që e ka dhënë para tyre që nuk do të ndërhyjë në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe normat e së drejtës sepse është shtet tjetër dhe nuk ka të drejtë të ndërhyj në procese zgjedhore në Kosovë”, tha presidentja Osmani.
Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, vendosi të mos marrë pjesë në votimet e caktuara për datën 21 prill ndërsa akuzoi kryeministrin Albin Kurti për siç thanë përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë.
Vendimi nxiti reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i kërkuan kësaj partie ta rishqyrtojë vendimin ndërsa qeverisë së Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e ngritura nga qytetarët në veri të vendit./VOA