Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesat për liri të drejtorëve dhe ish-drejtorëve të Erion Veliajt. Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato do të vijojnë që të hetohen në burg për korrupsion me tenderat në bashkinë e Tiranës.
Njoftimi;
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 05.05.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 18 akti, datë 29.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim R.M., M.Q., T.T., J.Z. dhe E.Z., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 28, datë 28.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.
- Miratimin e vendimit nr. 35, datë 30.03.2024 të të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.
- Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.