Koordinatori rajonal i Rithemelimit për Tiranën, Klevis Balliu i ka drejtuar një deklaratë Prokurorisë së Posaçme ku ka kërkuar që SPAK të hetojë lidhjen e Bashkisë së Tiranës dhe kompanive I.B.Recycling me administrator Fatbardh Meça dhe 3.R shpk, e cila është në pronësi të shtetasit Edurim Teqja (kushëriri i Redi Mollës).
“Ne i drejtohemi publikisht SPAK-ut për të marrë në konsideratë dhe hetuar sa më poshtë:
1. Në datën 15 dhjetor 2015 firmoset aktmarrëveshja midis Bashkisë Tiranë dhe kompanive I.B.Recycling me administrator Fatbardh Meça dhe 3.R shpk, e cila është në pronësi të shtetasit Edurim Teqja (kushëriri i Redi Mollës). Objekti i marrëveshjes parashikon: punësimin e individëve që mbledhin materiale të riciklueshme dhe seleksionimin e këtyre materialeve para se të futen në zonën e asgjësimit për mbledhjen e materialeve të riciklueshme, të parrezikshme, që depozitohen brenda landfilllit të Sharrës.
SPAK të pyesë Erion Veliajn:
-PËRSE ky shërbim i mbuluar nga ndërmarrja publike duhet të transferohej tek operatorët privatë?
-Përse nuk kaloi nëpërmjet vendimit të këshillit bashkiak?
-Përse nuk u zhvillua procedurë prokurimi me garë të hapur, por u vendosën negociata të drejtpërdrejta me operatorët private?
2. Në gusht 2016 Kompania MEG Albania -mburojë e AMIA Verona- (që kishte paguar 33.000 € Vladimir Fezgën për promocion) dhe AMIA Verona së bashku me Bashkia Tiranë, themeluan kompaninë ECO Tirana.
SPAK duhet t’i bëjë këto pyetje Veliajt të cilin duhet ta thërrasë sërish:
-Kush vendosi për themelimin e Eco Tirana?
-A ka studim fizibiliteti të kryer për të?
-Përse lindi nevoja që shërbimi i mbuluar nga sektori publik të transferohej te privati?
-Si u transferua pa vendim të Këshillit Bashkiak toka e marrë brenda landfillit?
-Pse nuk ka asnjë tender për shërbimin, por u paracaktuan kontraktorët privatë?” është sprehur Balliu.