Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis viziton Turqinë të hënën për bisedime me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Të dy udhëheqësit shpresojnë të ulin tensionet që i kanë sjellë disa herë vendet e tyre pranë konfliktit të armatosur gjatë viteve të fundit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Stambolli Dorian Jones, dy udhëheqësit do të përqëndrohen në fushat e bashkëpunimit të mundshëm, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Ukrainën.
Mosmarrëveshjet territoriale mbi detin Egje, i cili besohet se ka burime të mëdha nafte, e sollën Greqinë dhe Turqinë në prag të luftës dhe vazhdojnë të shkaktojnë tensione.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të vizitojë Ankaranë të hënën për t’u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Analistët thonë se bisedimet ka të ngjarë të shmangintema të diskutueshme dhe të përqendrohen në fushat e bashkëpunimit.
“Të dy vendet kanë diskutuar çështje si rritja e tregtisë, ndërtimi i një rruge të re në kufirin Turqi-Greqi apo udhëtimi pa viza për qytetarët turq në ishujt lindorë të Egjeut. Mendoj se të gjitha janë të rëndësishme për të rritur besimin në mes të palëve, të shtojnë kontaktet dhe të rrisin bashkëpunimin energjetik”, thotë Berkay Mandiraci, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Vizita e Kryeministrit Mitsotakis në Turqi pason vizitën e Presidentit Erdogan në dhjetor në Athinë. Të dy udhëheqësit duan t’i shfrytëzojnë këto zhvillime pozitive në disa fronte.
Konfliktet në Gazë dhe Ukrainë shtojnë arsyet për përmirësimin e lidhjeve. Analistët thonë se të dy udhëheqësit e kuptojnë se tensionet mes tyre do ta përkeqësojnë situatën në rajon./VOA
Lexoni KËTU shkrimin e plotë