Marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe nevoja e përmirësimit të tyre, jo vetëm në dobi të dy vendeve, por gjithë rajonit, ishin në qendër të një fjale të gjatë që kryeministri Edi Rama mbajti sot në Athinë përpara disa mijëra emigrantëve shqiptarë.
Zoti Rama tha se shqiptarët dhe grekët duhet të ecin përpara si të barabartë, duke lënë pas të shkuarën dhe problemet që sipas tij janë ushqyer më së shumti nga politika. Takimi i sotëm në Athinë është i pari i një turi në disa qytete të Evropës, që zoti Rama parashikon të realizojë me bashkëkombasit e tij që jetojnë jashtë Shqipërisë
Vizita e sotme e kryeministrit Rama në Athinë ishte paraprirë nga debate të shumta në politikën greke, të mbërthyer nga ethet për zgjedhjet në parlamentin europian. Opozita e kishte konsideruar takimin e tij me emigrantët shqiptarë si “një provokim”, ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e kishte cilësuar “të panevojshme”.
Përgjigja e zotit Rama erdhi që në hapje të fjalës së tij në mjediset e tejmbushura të stadiumit Galatsi, në kryeqytetit grek, ku mbizotëronin ngjyrat kombëtare shqiptare kuq e zi dhe flamujtë e Bashkimit Evropian.
“Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, deklaroi ai.
Lexoni KËTU shkrimin e plotë