Është shpallur në kërkim ish-deputeti i PS-së, Arben Ndoka. Mësohet se kjo vjen pas megaoperacionit që u zhvillua këtë mëngjes me urdhër të SPAK, ku kërkohej kapja e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale. Në total u lëshuan 50 urdhër-arreste nga Prokuroria e Posaçme.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar në vitin 2019 pasurinë e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, i cili u arrestua në në tetor të vitit 2018 në kuadër të operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash.
Kujtojmë se nga përgjimet telefonike të Prokurorisë, Arben Ndoka rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Rana e Hedhun në Shëngjin. Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me grupin e Avdylajve të Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.