Ish-kryeministri Sali Berisha ka përgënjeshtruar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, i cili u shpreh se nuk është bërë asnjë denoncim për grup të strukturuar kriminal për inceneratorin e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij në tubimin e përditshëm qytetar, Berisha deklaroi se Dumani mashtroi, pasi sipas tij katër vite më parë është bërë një padi për grup të strukturuar kriminal, në lidhje me këtë aferë.
“Miqtë e mi, dëgjojeni vetëm një aspekt të vjedhjes së tij. Erion Veliaj merr me qira për ndërtimin e depos së ujit në Surrelin e Edi Ramës 500 metër tokë. 500 metër tokë Edi Rama thotë se aty e ka blerë me dy dollarë, por mashtron se aty ka qenë të paktën 25, kurse sot është 50 dollarë. Pra, Erion Veliaj e ka marrë me qira tokën, e cila në rast se do blihej, mund të kushtonte gjithsej 200 mijë dollarë. Maksimumi i maksimumit.
Kurse qira paguan 20 mijë euro në vit. 10 mijë Erioni, 10 mijë Qefalia. A ka hajdutë si këta mor miq? Secili nga specialistët e Edi Ramës ulte kokën kur fliste. Po Gjiknuri i mamasë që i vodhën 7 milionë euro në apartament, a e patë se si fliste apo jo?
Pra, ishte skena më tragjikomike, por prapë gjithçka ua prishën deputetët e opozitës. Me pyetjet që i bënë, ia thanë fjalën në gojë. Mbetej dhe sillej si peng i shpifur, njeri që nuk ka dinjitet, nuk ka moral, nuk ka nder, nuk ka ligj. Një peng i shpifur i Edi Ramës. Mashtrues publik që gënjeu, tha se për inceneratorin nuk është bërë padi për grup të strukturuar, në një kohë kur 4 vite më parë, padia është bërë për padi të strukturuar kriminal. Pengu i Edi Ramës. Sot i doli çdo bojë, i doli çdo kallaj” u shpreh Berisha.