Spanja është në fazën e 1-8 e finaleve në “Euro 2024”. Një kualifikim i certifikuar me një fitore ndaj Italisë që bashkoi lojën e mirë dhe pritshmëritë për mundësitë e saj në këtë kompeticion. Mund të thuhet se në skuadrën spanjolle është krijuar një gjendje optimizmi me fitoren kundër Italisë, e shtuar me fitoren 3-0 ndaj Kroacisë në takimin e parë.
Ndjesi që dallon me ato të Italisë, të cilët do të kenë “finalen” e tyre të veçantë ndaj kroatëve në takimin e fundit në grup. Luis de la Fuente zgjodhi gjerësinë, vertikalitetin dhe mbivendosjen në krahë me Niko Uilliams, lojtari më i mirë i ndeshjes, dhe Lamine Jamal, i shtuar në kontrollin dhe komandën e Rodrit dhe Fabián Ruiz në mesfushë. Italia, e përballur me nevojën për tu mbrojtur, e bëri këtë me një bllokim të ulët, duke kërkuar të dilte në tranzicion në hapësirë pas mbrojtjes spanjolle. Spanjën fitoi 1- 0 që erdhi me një autogol të qendërmbrojtësit Rikardo Kalafiori, në një nga depërtimet e shumta të Uilliams nga krahu.
Vetë Niko mundi të kishte thelluar shifrat por gjuajtja e tij goditi traversën. Në raste të tjera ishte Donaruma ai që pengoi golin e dytë të Spanjës, mbi të gjitha, me dy ndërhyrje të shkëlqyera ndaj Ajoze Pérez, një nga zëvendësuesit e De la Fuente në pjesën e dytë. Në fund, Spanja, pas ndryshimeve të De la Fuente, i rezistoi përpjekjeve të fundit të Italisë në sulm për të vulosur fitoren dhe vendin e saj në turin tjetër.
SULMET NË KRAHË DHE NË THELLËSI – Me një 4-3-3 me topin në zotërim, Spanja përfitoi nga shpejtësia dhe talenti i anësorëve të saj, Lamine Jamal dhe Niko Uilliams, për të gjeneruar rrezik në krahë. Megjithatë, sektori i majtë dominoi sulmin e Spanjës, një korsi në të cilën Uilliams dhe Kukureja mbivendoseshin në sulm. Gjatë gjithë kohës, lojtarët spanjollë sulmuan intervalet përkatëse të krijuara nga Di Lorenco që shkonte pas Uilliams dhe Bastonit, i cili ishte i shqetësuar për të ndjekur Pedrin.
Në metrat e fundit, Uilliams u përpoq të sulmonte vazhdimisht në situata 1 kundër 1 kur shikonte një situatë avantazhi, veprime në të cilat Kukureja i bashkohej vazhdimisht për të sulmuar shpinën e Di Lorencos. Edhe Italia formoi një 4-3-3 në fazën e zotërimit të topit, por i mungonte aftësia për të bërë kombinime në zonën e krijimit dhe nga brenda. Në fillim, qendërmbrojtësit Bastoni dhe Kalafiori e patën të vështirë të lidheshin me mesfushorët Zhorzhinjo dhe Barela, të dy mesfushorë shumë larg njëri-tjetrit dhe pa një pikë të sigurt pasimi. Për këtë arsye, anësorët, Fratezi, Kieza dhe Pelegrini, nuk patën asnjë avantazh, duke humbur kontrollin e topit në shumë raste.
KONTROLLI DHE ZOTËRIMI I LOJËS – Skuadra spanjolle imponoi stilin e zakonshëm të lojës të zbatuar nga De la Fuente kundër Italisë. Domethënë, alternimi i zotërimit të topit në zonën e krijimit për të tërhequr bllokun mbrojtës rival, duke i shtuar këtu vertikalitet në lëvizje dhe pasime. Në këtë mënyrë, sa herë që Spanja gjente një hapësirë të lirë prapa vijës së mesfushës apo vijës së fundit të mbrojtjes, nuk hezitonte të niste sulmin në atë zonë. Ky version agresiv në sulm bëri që skuadra e De la Fuentes të krijonte mundësi të shumta shënimi dhe të mbyste tentativat sulmuese të Italisë. Një model sulmues në të cilin Rodri, Fabian Ruiz dhe Pedri gjithashtu tejkaluan rivalin e tyre në korridorin qendror përmes qarkullimit të topit dhe epërsisë së pozicionit.
Pa opsione sulmuese në pjesën e parë, Spaleti zgjodhi të përdorte një lojë më vertikale sapo Italia e tij vidhte topin në pjesën e dytë. Megjithatë, nxitimi në lidhjen e pasimeve për të arritur në zonën fundore të fushës e pengoi qartë Italinë të arrinte në zonën e rrezikshme. Në momentet kur arriti të rikuperonte topin, Kistante i hedhur në fushë në pjesën e dytë nuk ishte në gjendje të identifikonte hapësirën e lirë të ndërmjetme për tu lidhur me Barelën dhe kështu të përfitonte nga ajo hapësirë lëvizëse që mund të prishte vijën mbrojtëse të Spanjës.
PRESION INTENSIV DHE ÇEKUILIBËR TE ITALIA – Spanja mundi Italinë edhe në pjesën e mbrojtjes me presion të fortë në bllokun e lartë. Të rinjtë e De la Fuentes ndërmorën rreziqe të mëdha kur erdhi puna për të parandaluar avancimin sulmues të rivalit të tyre, por ata ditën t’i menaxhonin me sukses të gjitha situatat delikate gjatë gjithë ndeshjes. Për të arritur këtë sukses në mbrojtje, anësorët Uilliams dhe Jamal vunë nën presion qendërmbrojtësit italianë në korsinë e brendshme, duke shtuar depërtimin e Karvahal nga jashtë ndaj anësorit të majtë italian, Pelegrini.
Lëvizjet ishin të gjitha të mbështetura nga tre lojtarët e mesfushës, Pedri, Rodri dhe Fabian Ruiz. Tre lojtarët e mesfushës së Spanjës mbuluan kalimet e brendshme të Italisë, duke parandaluar kështu lidhjet e brendshme të Italisë me Barelën dhe Zhorzhinjon nga brenda. Skuadra italiane pati një problem të madh në pjesën më të madhe të ndeshjes në fazën mbrojtëse, të shkaktuar nga distanca mes mesfushorëve të tyre. Barela dhe Zhorzhinjo nuk u përshtatën siç duhet, duke krijuar kështu hapësira të lirë në korsinë qendrore ku Pedri, Jamal dhe Fabián ndikuan që topi të arrinte në zonën e favorshme.
Një tjetër çekuilibër i Italisë ishte se linja e fundit u tërhoq shumë, duke zgjeruar më tej hapësirën në bllokun e saj mbrojtës. Më pas, lojtarët e Spaletit u përpoqën të mbyllnin korsinë e brendshme, por ata u shpërndanë nga jashtë, ku u tejkaluan në çdo moment nga anësorët spanjollë dhe mbrojtësit e krahut në thellësi për të bërë krosime anësore të mbyllura. Kështu erdhi goli i vetëm i ndeshjes me Niko Uilliams të mbështetur nga jashtë për të gjetur një krosim në zonë që Kalafiori shënoi një autogol në tentativën e largimit të tij.
PANORAMASPORT.AL