Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është rikthyer sërish në dyert e drejtësisë për të dhënë llogari. Këtë herë për pasurinë. Ditën e sotme, i shoqëruar nga avokati Maks Haxhia u paraqit në SPAK dhe qëndroi për rreth dy orë.
Paraprakisht raportohet se prokurori Elvin Gokaj e ka pyetur për pasurinë lidhur me disa transaksione financiare. Për këtë dosje janë pyetur edhe persona të tjerë, mes tyre biznesmenë.
Prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë, institucione e agjenci të pronave për të verifikuar pronat e llogaritë bankare të ish-ministrit të Brendshëm, dhe transaksionet që ai ka kryer. Në dalje nuk pranoi që të bënte asnjë koment për mediat.
“Me vjen keq qe keni qëndruar kaq gjatë! S’kam asgjë për të thënë! Mirupafshim!” tha Tahiri.
Fiks një vit më parë gjykata e shkallës së parë e Elbasanit e liroi nga burgu ish-ministrin e Brendshëm, ndërsa i kishte mbetur pa shlyer edhe një vjet e tetë muaj nga dënimi.
Tahiri u dënua me tre vjet e katër muaj heqje lirie, në shkurt të vitit 2022, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për dosjen “Habilaj”.
Gjykata e argumentoi lirimin e tij me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit.