-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Genc Burimi: Franca i hap oreksin ekstremit të majtë

Kryesoret

Në mbarim të zgjedhjeve legjislative të parakohshme në Francë dhe kur rezultatet përfundimtare ende nuk jane publikuar, ndodhi skenari i dytë që pritej. As partia e Le Pen-it dhe asnjë bllok tjetër politik nuk arriti një shumicë absolute. Tre blloqet kryesore aktuale të jetës politike franceze, ai i ekstremit të djathtë, ai të majtës radikale e bashkuar me të majtën e moderuar, dhe blloku i qëndrës, do të kenë pak a shumë të njëjtën peshë politike në parlamentin e ri prej 577 vendesh.

Çdo bllok do të zërë pak a shumë rreth 150 – 170 deputetë secili, pra shumë larg mazhorancës absolute për të cilën duhen 289 deputetë. Kush ka fituar ateherë në Francë? Askush! Hapet tani për Makronin një periudhë edhe më e ndërlikuar, ajo e emërimit të një kryeministri nga blloku që ka fituar relativisht më shumë deputetë, por që mund të bjerë menjëherë sapo të krijohet, nëse dy blloqet e tjera votojnë mosbesimin.

Realisht në Francë ka fituar e keqja më e vogël. Ka fituar konfuzioni në parlament, një e keqe sigurisht e jashtëzakonshme në raport me stabilitetin politik që njeh Franca që prej kohës së De Gollit, por një e keqe shumë më e vogël nëse partia e Le Pen-it do t’i kishte fituar këto zgjedhje me shumicë absolute. Franca i shpëtoi kështu rrezikut të politikave ksenofobe në planin e brëndshëm dhe atyre anti-Europë e pro-Putin në planin e jashtëm. Ky rrezik u përjashtua përkohësisht sepse Le Pen ka ende një shans shumë serioz më 2027, asaj here për të marrë jo vetëm qeverinë, por dhe Presidencën.

Këto 3 vite deri atëherë do të jenë sfilitëse për Francën. Asnjë qeveri që do të dalë nga ky parlament i copëzuar si një “puzzle » nuk do të mund të rezistojë tre vjet votave të mosbesimit. Është shumë e mundshme që pas një viti të ketë sërish zgjedhje të parakohshme. Makron që i provokoi këto zgjedhje me argumentin prej betoni se synimi i tij ishte qartësimi, dështoi. Jo vetëm që këto zgjedhje të parakohëshme dhe të panevojshme nuk sqaruan asgjë, por më keq akoma ato e kthyen parlamentin francez në forumin me të paqartë që ka njohur Franca që nga Republika e 4 franceze e një epoke të shkuar.

Sigurisht blloku i majtë, me të drejtë duket sikur thotë t’i jepet atij mundësia të krijojë një qeveri, sepse ky bllok duket sikur ka fituar më shumë vende ne krahasim me dy blloqet e tjera. Por kjo do jetë e pamundur sepse blloku i majtë është vetë i ndarë në dy pjesë që urrehen, në të majtën ekstreme të Melenshonit që kërkon të shtojë taksat dhe në të majtën e moderuar të ish – presidentit socialist Hollande i sapozgjedhur deputet. Secili nga këto dy nën-blloqe ka vetëm rreth 70 deputetë.

Bashkë krijojnë vërtetë një forcë, por faktikisht këto dy të majta u bënë bashkë vetëm për të mundur Le Pen dhe jo për të drejtuar Francën. Paradoksalisht mundësia më e madhe për të krijuar një qeveri i mbetet sërish partisë së Makronit ose bllokut centrist që parashikohej i treti në këto zgjedhje, por që po del i dyti. Duke marrë disa deputetë të moderuar sa djathtas dhe sa majtas, partia e Makronit duket si më e afta për të krijuar një qeveri.

Por ajo do të jetë njëkohësisht e paaftë ta mbajë qeeverinë për një kohë të gjatë, pasi asnjë qeveri nuk mund të mbeshtetet në një mazhorancë absolute. Tout ça, pour ça? do thonin francezët. Përkthimi kontekstual: gjithë kjo zhurmë elektorale për asgjë, thjesht për një vendnumëro, për të qëndruar aty ku Franca ishte : me një qeveri të Makronit në duar të një parlamenti me shumicë anti-Makron.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit