-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Janusz Bugajski: Laku rreth qafës së Putinit po shtrëngohet

Kryesoret

Kremlini i Putinit po shfaq gjithnjë e më shumë shenja frike për sa i përket luftës së tij kundër Ukrainës, për shkak të intensifikimit të presioneve ushtarake, ekonomike dhe ndërkombëtare. Moska është e shqetësuar se një Ukrainë plotësisht e armatosur do të përfshihet në një ofensivë të suksesshme për të rimarrë pjesë të mëdha të territorit të saj dhe për të dëbuar forcat pushtuese ruse.

Propozimet absurde të Putinit për dorëzimin e Ukrainës në prag të samitit të paqes të qershorit në Zvicër tregojnë se Moskës po i mbarojnë idetë në parandalimin e Perëndimit të pajisë plotësisht forcat e armatosura të Ukrainës.

Ushtria ruse nuk ia doli të pushtonte ndonjë territor të rëndësishëm gjatë gjashtë muajve që Kievi kishte një mungesë rrezikuese predhash, për shkak të vonesave në financim nga SHBA. Dhe gjatë javëve të fundit, Moska qe e paaftë të përparonte në rajonin e Kharkivit, pavarësisht avantazhit të saj në numër.

Tani që, më në fund, Kievit iu lejua të godasë në territorin rus me armë perëndimore, infrastruktura ushtarake e Moskës është shënjestër e sulmeve të përditshme. Këtu përfshihen furnizuese me karburant, mbrojtja ajrore, rezervat e armëve, si dhe terminale rrugore dhe hekurudhore.

Gjasat janë që Ukrainës t’i sigurohen jo vetëm armë me rreze më të gjatë veprimi, por edhe skuadrilje avionësh luftarakë F-16, me çfarë do dëmtonete edhe më fort forcat tokësore të Rusisë.
Edhe pse Moska e ka rritur prodhimin e mjeteve ushtarake, ajo nuk mundet ta kompensojë humbjen masive të tankeve, artilerisë, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe pajisjeve të tjera.

Përdorimi i tankeve të mbajtura në magazina që nga vitet ’70 shpreh qartë cilësinë e ulët të pajisjeve ruse në përdorim. Sipas raportimeve të inteligjencës perëndimore, mbi gjysmë milioni trupa ruse janë vrarë, plagosur ose kapur rob dhe numrat e tyre po rriten me shpejtësi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e trupave të saj të oficerëve janë asgjësuar.

Gjithnjë e më shumë, Moska po mbështetet në rekrutimin e emigrantëve dhe mercenarëve të huaj nga Azia Qendrore, Amerika Latine, Afrika dhe Lindja e Mesme. Ata joshen me premtime për paga të larta, por këta rekrutë të trajnuar mezi arrijnë të qëndrojnë për pak ditë në front të luftës.

Meqë forcat ushtarake të Rusisë vijojnë të bien në luftë, Moskës mund t’i duhet të ndërmarrë mobilizim masiv, një lëvizje shumë e papëlqyeshme në popull, të cilën Kremlini e ka shmangur nga frika se mos shkaktonte një tjetër rrjedhje të madhe të të rinjve jashtë vendit, si dhe provokonte trazira sociale e rebelime ushtarake.

Putin ka zbuluar se sanksionet ndërkombëtare kanë pasur më shumë ndikim sesa është pranuar nga zyrtarët e tij. Ai kërkoi që ato të hiqen, për mundësinë e ndonjë marrëveshje paqeje me Ukrainën.

Sanksionet e kanë ulur në vijimësi aksesin e Rusisë në teknologjinë, pajisjet dhe softuerin e huaj. Uashingtoni gjithashtu ka filluar ta vështirësojë shmangien e sanksioneve prej vendeve të treta që ofrojnë komponentë për luftën e tij. Bankat ruse kanë frikë nga tërheqjet masive bankare, pasi qytetarët kanë frikë se do të humbsnin kursimet e tyre. Kostoja e jetesës, gjithashtu, po rritet duke rezultuar në inflacion domethënës, ulje të shërbimeve sociale dhe mungesë produktesh të caktuara.

Për sa i përket të ardhurave, kompania e madhe ruse e energjisë Gazprom po shkon drejt falimentimit, pasi shitjet e gazit natyror në Europë kanë rënë ndjeshëm. Industria e eksportit të qymyrit gjithashtu është në prag të kolapsit financiar.

Nafta bruto e Rusisë shitet me çmime nën mesataren globale dhe eksportet e naftës së rafinuar janë në rënie. Sanksionet me të rënda të Perëndimit do ta kufizojnë tregtinë e naftës dhe të gazit natyror rus. NATO planifikon të vërë nën kontroll lëvizjen e cisternave të naftës të vendeve të treta që transportojnë eksporte ruse përmes ujërave europiane.

Duke ndaluar këtë flotë në hije që lundron nëpër ngushticat daneze, Moska do të humbasë rreth një të tretën e eksporteve të saj të naftës në rrugë detare. Që kur qeveritë perëndimore vendosën një çmim kufi për naftën ruse, Moska është mbështetur në një flotë cisternash të vjetruara të bazuara dhe të siguruara jashtë Perëndimit. Lëvizjet për të bllokuar këto anije do t’i ulnin ndjeshëm të ardhurat e Kremlinit.

Për sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, agresioni i Moskës ndaj Ukrainës i ka hapur rrugën zgjerimit të NATO-s me pranimin e Finlandës dhe Suedisë, ka forcuar praninë ushtarake të NATO-s përgjatë frontit lindor dhe ka nxitur të gjitha vendet të shtojnë shpenzimet e tyre për mbrojtje, të blejnë armë të reja dhe të rrisin numrat e forcave të armatosura.

Prania ushtarake e SHBA-ve, gjithashtu, po rritet, veçanërisht në Poloni, ku tashmë ndodhen mbi 10,000 trupa amerikane. Përgatitjet po avancojnë për t’iu kundërpërgjigjur çdo tentative sulmi nga ana e Rusisë ndaj ndonjë anëtari të NATO-s.

Kufiri midis Rusisë dhe NATO-s është bërë shumë më i gjatë pas përfshirjes së Finlandës në Aleancë, ndërsa përqendrimi i forcave ruse përgjatë këtij kufiri është i ulët, pasi pjesa më e madhe e burimeve të saj të luftës dhe forcave të armatosura janë vendosur në vijën e frontit me Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, Kina po përfiton nga dobësimi i Rusisë duke këmbëngulur për naftë dhe gaz me çmime të ulëta dhe duke lidhur me Moskën marrëveshje ekonomike nga të cilat kryesisht do të përfitojë Kina.

Në fakt, Rusia po kthehet në një vasal të Kinës. Laku rreth qafës së Putinit po shtrëngohet dhe mund të priten beteja të tjera të brendshme për pushtet, ndërsa Rusia vërvitet drejt kolapsit./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit