Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka ankimuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve vendimin e KQZ-së për ti ndërprerë mandatin Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur në zgjedhjet e 14 Majit.
Sipas ankimimit të firmosur nga kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule , Ilirjan Celibashi ka marrë një vendim të paligjshëm duke kërkuar rrëzimin e këtij vendimi.
“Vendimi i KQZ është një akt administrativ i paligjshëm, pasi organi administrativ ka vepruar në tejkalim të kompetencave që i ka njohur ligji, ka shkelur dispozitat ligjore në lidhje me procedurën administrative, ka mungesë të elementëve të detyrueshëm të aktit administrativ, si pjesa arsyetuese e gjithë urdhërimeve të tij dhe ligji i zbatueshëm për efekt të vendimmarrjes konkrete, është në shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e kompetencave të këtij organi, si dhe është pasojë e diskrecionit të ushtruar në mënyrë jo të ligjshme, si i tillë duhet të anullohet”, shkruhet në ankimim.
Në ankimim jepen edhe argumentet ligjore kur mund të ndërpritet mandati i një kryebashkiaku dhe disa nga këto janë pazotësia e kryetarit të bashkisë për të ushtruar detyrën, shkaku i vdekjes, humbjes së zotësisë për të vepruar, refuzimi për të kryer betimin, mosbanimi në të njëjtën bashki ku është zgjedhur kryetar etj.
Në arsyen e ndërpres së mandatit KQZ ka vepruar në mënyrë të paligjshme pasi baza ligjore e përdorur nuk e pengon z. Beleri në ushtrimin e detyrës.
“Në lidhje me pengesa të tjera që mund të kenë subjektet që nuk kanë lidhje me formularët e vetdeklarimit, për fakte juridike, ngjarje, të cilat ndodhin pas dorëzimit të formularit të vetdeklarimit janë ligje të tjera, organe të tjera kushtetuese që ushtrojnë funksionin, por nuk është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve”, citohet gjithashtu në ankimim.