Këtë incident duhet ta sqarojë MV-ja, siç ka kërkuar pala kosovare me notën e protestës dhe këtë sqarim duhet ta kërkojë edhe kryeministri i Kosovës gjatë vizitës së tij sot në Shkup. Nga deklarimi i tij për shtyp nuk duket se ai ka marrë një sqarim të tillë: lajmi se do të ketë një raport lidhur me rrjedhën e incidentit nuk i shkon natyrës së rastit, për faktin e thjeshtë se nuk bëhet fjalë për gjetje të fajtorit ose për hetim të një krimi të kryer, por për konstatimin e shkeljes së rregullave mbi imunitetin e shefit të shtetit kosovar
Kuadri i mbrojtjes së shefit të shtetit në të drejtën ndërkombëtare
Libri “Satow’s Diplomatic Practice”, i botuar për herë të parë në vitin 1917, për mua ka qenë një zbulim, kur në vitin, tanimë të largët, 1992, fillova punën si diplomat në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë (MPJ). Sot e kujtoj atë kopje, që mbase akoma gjendet në bibliotekën mjaft të pasur të MPJ-së. Aktualisht, libri ka përjetuar botimin e tetë (2023). Studentëve të masterit për lëndën “E drejta diplomatike dhe konsullore”, ndër vite, për lexim të detyrueshëm u jap botimin e pestë (1994), me vërejtjen se duhet të përpunojnë rastet e lindura pas vitit 1994. Edhe rreshtat në vijim bazohen në këtë libër, por në botimin e fundit të tij. Këtë vit, studentët, me siguri se do të kenë detyrë shtëpie përpunimin e incidentin me shefin e shtetit të Kosovës, zonjën Vjosa Osmani, që ndodhi më 2 gusht 2024. Nëse ky do të jetë rasti me botimin e radhës të “Satow’s Diplomatic Pracice”, varet nga Sër Ajvor Roberts, autori që përkujdeset për përditësimin e tij, si dhe nga zhvillimet në terren, lidhur me këtë rast, në kohën që vjen. Me sa duket, ka pak gjasë që pritja ime e fundit të materializohet, marrë parasysh reagimin e mefshtë të establishmentit të Kosovës, të politikës zyrtare dhe opozitës. Për Kosovën, incidenti i Shkupit dhe mesazhi politik që përçon, duhet të këtë shumë rëndësi, sepse përbën pikën e kthesës, ogurin e keq, për statusin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rend të parë në raport me fqinjët e saj. Krahasuar me peshën e rastit, indiferenca e theksuare lidershipit institucional e politik të Kosovës sigurisht që komandohet nga motive politike dhe raportet e prishura ndërpersonale, që nuk çojnë asnjë peshë në diskutimin e rastit në rreshtat në vijim. Ajo që çon peshë është qasja që është dashur të ndiqet, si në reagimin e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ashtu edhe në atë të bërë nga individë e “njohës të çështjeve juridike”, përfshirë këtu ish-funksionarë të lartë shtetërorë kosovarë. Qasja që duhet ndjekur ka vetëm një derë – asnjë tjetër: e drejta ndërkombëtare zakonore mbi marrëdhëniet diplomatike në mes të shteteve, që normohet edhe më një mori konventash, në rend të parë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961 (KVMD). Ky dokument, në fakt, nuk bën dallimin shprehimor në mes të privilegjeve dhe imuniteteve që gëzon shefi i shtetit dhe funksionarët e zyrtarët tjerë shtetërorë. Për më tepër, as që e përmend zyrën e shefit të shtetit. Këtë e bëjnë instrumentet tjera ndërkombëtare që kanë statusin “lex specialis”, përkatësisht Konventa e Nju Jorkut mbi Misionet Speciale, e vitit 1969 (KVMS) dhe Konventa mbi Personat e Mbrojtur Ndërkombëtarisht, e vitit 1973 (KPMN). Të dyja këto e mbështesin epërsinë dhe statusin e special të shefit të shtetit në të drejtën ndërkombëtare dhe, njëkohësisht, bazohen fuqishëm edhe në KVMD, dispozitat e së cilës i përsërisin në mënyrë të përshtatshme në raport me pozitën juridike të shefit të shtetit. Sot ekziston një konsensus – i konfirmuar në dy raste të vendosura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), por edhe në disa raste të tjera të gjykatave nacionale të vendeve perëndimore – se normat e konventave si më sipër, kanë karakter të normave të së drejtës ndërkombëtare zakonore. Kjo nënkupton se, edhe sikur të mos ekzistojnë fare KVMD-ja, KVMS-ja dhe KPMN-ja, shefi i shtetit gëzon imunitetin dhe mbrojtjen e duhur në territorin e shtetit tjetër, si në kapacitetin publik, në atë privat, ose në transit (siç ishte rasti i Presidentes së Kosovës). Për këtë arsye, që në fillim duhet të theksoj se reagimi i Presidencës së Kosovës për këtë çështje ka qenë në nivel dhe i bazuar në të drejtën diplomatike pozitive.
Nuk janë të pakta shtetet që me ligjet e tyre të brendshme në mënyrë shprehimore citojnë të drejtën ndërkombëtare zakonore si bazë për imunitetet e privilegjet e shefave të huaj të shteteve që qëndrojnë në territorin e tyre, në çfarëdo kapaciteti, krahas citimit të dispozitave të konventave ndërkombëtare ku ato janë palë. Këtë e theksojmë për të treguar se asnjë peshë nuk çon ana faktike e rastit të presidentes Osmani – pra nëse telefoni saj është kërkuar për skenim, nëse është skanuar bagazhi saj dhe gjëra të ngjashme: ajo që çon peshë ka të bëj me sjelljen e autoriteteve publike të MV-së ndaj shefit të shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës, me të cilin ka marrëdhënie diplomatike dhe konsullore. Nga fakti i pasjes së marrëdhënieve dypalëshe diplomatike e konsullore burojnë disa të drejta e detyrime konkrete, që bazohen si në të drejtën ndërkombëtare kontraktuale, ashtu edhe në atë zakonore (siç është rasti konkret që po e trajtojmë).
Mbrojtja dhe paprekshmëria e shefit të shtetit
Që nga kohët e lashta, prezenca e shefit të shtetit të një vendi në territorin e një vendi tjetër, me ftesë ose pa të, ka nënkuptuar një trajtim të posaçëm të saj/tij, me dinjitet dhe respekt të duhur. Ky parim, sot e kësaj dite konsiderohet normë e të drejtës ndërkombëtare zakonore. U mor vesh, kjo nuk do të thotë se shefi i shtetit mund të futet në territorin e një shteti tjetër sovran pa lejen e tij: leja jepet (ose nënkuptohet se ekziston) çdo herë kur një shtet merr në dijeni, përmes kanaleve diplomatike, ose në ndonjë mënyrë tjetër, se do të ketë vizitë të një shefi tjetër të shtetit. Shteti mund ta ndaloj hyrjen e saj/tij edhe atëherë kur bëhet fjalë për shtete që kanë marrëdhënie jashtëzakonisht të mira mes tyre. Kështu, në këtë frymë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) i ka dhënë të drejtë Sllovakisë, e cila më 2012 ka ndaluar hyrjen e shefit të shtetit hungarez në territorin e saj, për të marrë pjesë në një manifestim të rëndësishëm sllovak. GJED-ja ka arsyetuar vendimin e saj me faktin se lejimi i pjesëmarrjes së shefit të shtetit hungarez do të vinte në pozitë të pabarabartë shtetasit tjerë, nisur nga fakti se “sipas të drejtës ndërkombëtare, shefi i shtetit gëzon status të posaçëm në të drejtën ndërkombëtare mbi marrëdhëniet diplomatike”. Thënë shkurt: Sllovakia nuk ka dashur të marrë përsipër prezencën e shefit hungarez të shtetit në një manifestim privat, sepse do të detyrohej për vënien në jetë të rregullave mbi mbrojtjen e shefit të shtetit. Nuk do mend se, ndalimi i hyrjes së shefit të shtetit në një territor sovran, është më i rreptë te vendet në armiqësi me njëra-tjetrën, siç ka qenë rasti i presidentit Kurt Valhajm, të cilit SHBA-ja ia ndaloi hyrjen më 1987, pastaj rasti i Francës, që më 1993, ia ndaloj hyrjen presidentit të Zairesë, Mobuto, e kështu me radhë.
Në çdo rast të prezencës së shefit të shtetit në territorin e një shteti tjetër, për vizitë zyrtare, në transit ose në cilësi private, nga shteti pranues kërkohet trajtim me dinjitet i saj/tij. Nuk ka qenë trajtim me dinjitet, sipas një vendimi të GJND-së të vitit 2008, rasti kur hetuesit francezë i kanë dërguar ftesë presidentit të Xhibutit, për të dëshmuar në gjyq. Ftesat e tilla çdo herë dërgohen përmes rrugëve diplomatike, asnjëherë direkt në zyrën e shefit të shtetit. Mënyra e dërgimit të tyre, sipas GJND-së, e ka vënë nën trysni të një autoritetit tjetër publik shefin e shtetit xhibutian, gjë që paraqet shkelje të normave mbi imunitetin. Sipas GJND-së, ky rast është i zbatueshëm edhe ndaj shefit të shtetit. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë hetime ndaj shefit të shtetit për vepra të ndryshme, siç janë korrupsioni e kështu me radhë. Ato hetime edhe mund të bëhen publike, por gjyqi dhe procedurat juridike nuk mund të zhvillohen në shtetin e huaj ndaj shefit aktiv të shtetit, pa pasur një heqje të imunitetit të shefit të shtetit, i cili çdo herë duhet të jetë shprehimor dhe pa dy kuptime. Nuk mund të prezumohet heqja e imunitetit: shteti i shefit të shtetit çdo herë duhet të jetë i qartë lidhur me këtë dhe të tregoj nëse ka hequr ose jo imunitetin e shefit të shtetit. Në rastet e kontesteve civile për trashëgimi, biznes privat dhe testament nuk vlen imuniteti personal absolut i shefit të shtetit: ajo/ai mund t’i ndjek procedurat gjyqësore si çdo qytetar tjetër, por vetë, nëse dëshiron, ose kur bëhet fjalë për kundërpadi. Krejt këto që u thanë vlejnë vetëm për imunitet nga juridiksioni për çështjet që nuk janë krime të natyrës së gjenocidit, torturës, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Në këto raste, imuniteti nuk vlen, si pranë gjykatave nacionale ashtu edhe pranë gjykatave ndërkombëtare ose gjykatave penale hibride.
Mbrojtja e shefit të shtetit, siç shihet, bazohet në normat zakonore, në doktrinë dhe praktikë ndërkombëtare. Zakonisht bëhet analogji më pozitën e shefit të misionit diplomatik, por duke i zgjeruar imunitetet dhe privilegjet në një mënyrë thuajse absolute, pa marrë parasysh cilësinë në të cilën gjendet shefi i shtetit në një shtet të huaj. KPMN-ja ia njeh shefit të shtetit një status dhe mbrojtje speciale në të drejtën ndërkombëtare, duke e dalluar qartë nga të gjithë personat tjerë që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare: ajo përdor shprehjen “çdo herë kur haset në një shtet tjetër”, pra pa marrë parasysh nëse është në cilësi private ose zyrtare, në transit ose për qëndrim më të gjatë. Kjo vlen edhe për shefin e ekzekutivit dhe ministrin e Jashtëm. Besoj publiku e ka të freskët fushatën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Greqi dhe reagimin grek se “nuk mund ta ndalojmë nga një fushatë e tillë!” Kjo nënkupton dy gjëra: e para – Edi Rama atje ka qenë me lejen e shtetit grek, që iu është dhënë nëpërmjet kanaleve diplomatike; dhe e, dyta – për sigurinë e tij gjatë fushatës atje, sigurisht që shteti grek ka pasur kujdes të shtuar.
T’i kthehemi tani çështjes së incidentit të Shkupit!
Zakoni ndërkombëtar dhe kurtoazia
Njëra ndër gjërat më atraktive për studentët e të drejtës diplomatike dhe konsullore – së paku kështu unë e kam perceptuar nga studimet e mia të hershme me profesorin tanimë të ndjerë, Zejnullah Gruda dhe më pastaj edhe në Fakultetit Juridik të Beogradit me profesor Smilja Avramov, ka qenë gjetja e dallimit në mes të zakonit ndërkombëtar dhe kurtuazisë. Ky interesim vjen nga fakti se, kur një çështje normohet nga e drejta zakonore ndërkombëtare, vështirë bëhet dallimi në mes të normave juridike zakonore dhe kurtuazisë, që nuk janë norma por sjellje të mirësisë sublime që shtetet ia bëjnë njëri-tjetrit. Pse ka rëndësi ky dallim? Rëndësia qëndron në atë se vetëm kur bëhet fjalë për zakonin ndërkombëtar, atëherë shkelja e tij tërheq përgjegjësinë e shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare. Ky nuk është rasti me rregullat e kurtuazisë: shkelja e tyre nuk ka asnjë pasojë për shtetit shkelës, përveç dënimit verbal, përçmimit dhe sjelljes së njëjtë nga pala tjetër që eventualisht ndihet “viktimë” e një sjelljeje të tillë pa kurtuazi. Rasti i imunitetit të shefit të shtetit nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ, qoftë gjatë vizitës zyrtare ose private, nuk bën pjesë në sferën e kurtuazisë, por në sferën e të drejtës ndërkombëtare zakonore. Shteti i Maqedonisë së Veriut (MV) është dashur ta ketë këtë parasysh kur ka vendosur të ushtroj juridiksionin administrativ ndaj shefit të shtetit të Kosovës më 2 gusht. Në raportet në mes të shteteve mike, kurtuazia gjatë një vizite private të një shefi tjetër të shtetit, shprehet me pritjen në kufi nga protokolli i shefit të shtetit të vendit, shoqërimi deri në aeroport apo në vendin tjetër (nëse nuk bëhet fjalë për kalim transit), e kështu me radhë. MV-ja konsiderohet shtet mik i Kosovës, mirëpo sjellja e fundit e autoriteteve të këtij vendi ndaj shefit të shtetit kosovar, demanton këtë konstatim.
Në asnjë rast nuk mund të këtë trajtim të njëjtë të shefit të shtetit me qytetarët e zakonshëm, siç u tha në publik nga zyrtarët e MV-së, por edhe nga shumë naivë nga bota shqiptare që morën guximin të vlerësojnë një korpus të dijes dhe profesionit që është prerogativë e ngushtë e institucioneve dhe individëve të profilit të caktuar të dijes profesionale. Nuk mund të mbizotërojnë konsideratat e sigurisë, siç u tha, për ta bastisur shefin e një shteti sovran dhe të pavarur. Kjo për faktin e thjeshtë se, deri më sot, nuk ka ndodhur që shefi i shtetit ose i qeverisë të jetë bastisur për shkak të angazhimit në terrorizëm, trafikim të drogës, ose akte të tjera të ngjashme që sigurojnë trafikun ndërkombëtar. Edhe atëherë kur shtetet janë futur në aktivitete terroriste dhe kanë sponsorizuar aktet e shkeljes së ligjit ndërkombëtar, atë e kanë bërë përmes agjentëve të tyre, jo përmes shefave të shtetit. Vetë fakti që u tha se shefi i shtetit të Kosovës duhet të trajtohet njëjtë sikur çdo qytetar tjetër, për arsye të sigurisë, flet shumë për shkallën e paragjykimit të funksionarëve të Kosovës dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe për vetë shtetin e tyre. Përtej çdo dyshimi, një arsyetim i tillë përbën fyerje të dinjitetit të shtetit të Kosovës.
E drejta ndërkombëtare zakonore si pikë referimi absolut
Nuk ekziston edhe një kushtetutë e veteme moderne e vendeve demokratike që të mos e definoj shefin e shtetit si përfaqësues i vendit në vend dhe në botën e jashtme, pa marrë parasysh pozitën e tij kushtetuese. Ky pozicion kushtetues i shefit të shtetit, krahas pozicionit të shefit të ekzekutivit dhe ministrit të Jashtëm, gëzon paralelisht mbrojtje të fuqishme edhe nga e drejta zakonore ndërkombëtare. Në veçanti, imuniteti personal i shefit të shtetit, ka vend special. Sa i përket imunitetit material, ai nuk është absolut: juridiksioni penal për krimet e gjenocidit, torturës, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të ushtrohet ndaj çdo kujt në kushtet kur kjo përcaktohet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me vendim të gjykatave nacionale, ose në mënyrë kontraktuale (siç është rasti me Gjykatën Penale Ndërkombëtare). Në rastin e presidentes Osmani bëhet fjalë për imunitet nga juridiksioni administrativ i autoriteteve të MV-së, pra kundër bastisjes dhe kontrollit të shefit kosovar të shtetit. Ky imunitet është personal (“ratione personae”). Ky ishte varianti sikur presidentja Osmani të ketë qenë në Shkup atë ditë në cilësinë private. Sikundër dihet, KVMD-ja, por edhe e drejta ndërkombëtare zakonore, ka bërë bazë imunitetin funksional: funksionarët e caktuar shtetërorë përjashtohen nga juridiksioni dhe sovraniteti i huaj nacional, në mënyrë që të kenë mundësi për të ushtruar funksionet e tyre shtetërore. Zonja Osmani ka qenë në transit më datën 2 gusht, në rrugë për vizitë zyrtare në një vend të tretë. Ky fakt e rëndon edhe më shumë situatën, duke bërë katërcipërisht përgjegjës MV-në për ushtrim të kundërligjshëm të juridiksionit administrativ ndaj zonjës Osmani, shefes së shtetit të Kosovës. Këtu, pra, qartë bëhet fjalë për shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare zakonore mbi imunitetin e shefit të shtetit, mbi paprekshmërinë e saj/tij, në ndërkohë që gjendet në territorin e një shteti tjetër sovran. Nuk bëhet fjalë për dhënie të privilegjeve me qëllim lehtësimin e ushtrimit të funksionit shtetëror në një territor të një shteti tjetër. Paprekshmëria si komponentë e imunitetit nënkupton mosushtrim të sovranitetit shtetëror ndaj shefit të shtetit, përfshirë kontrollin e bagazhit dhe të çdo prone tjetër që gjendet në posedim të shefit të shtetit. MV-ja ka pasur të drejtë të ndaloj kalimin transit të shefit të shtetit të Kosovës, pa dhënë arsye: është e drejtë e shtetit për një gjë të tillë, përkundër që në mes të shteteve në marrëdhënie që supozohen të mira, një gjë e tillë nuk do të ishte e natyrshme. Mirëpo, kur e jep lejen për transit, shteti nëpër të cilin kalon shefi i shtetit, ka detyrime të caktuara ndaj mosshkeljes së rregullave mbi paprekshmërinë, përkatësisht mosushtrim të juridiksionit penal, civil dhe administrativ, ndaj shefit të huaj të shtetit. Nuk ka lidhje nëse shefi i shtetit bënë vizitë zyrtare ose vizitë private nëpër territorin e shtetit transit.
Këtë incident duhet ta sqaroj MV-ja, siç ka kërkuar pala kosovare me Notën e Protestës, dhe këtë sqarim duhet ta kërkoj edhe Kryeministri i Kosovës gjatë vizitës së tij sot në Shkup. Nga deklarimi i tij për shtyp, nuk duket se ai ka marrë një sqarim të tillë: lajmi se do të ketë një raport lidhur me rrjedhën e incidentit nuk i shkon natyrës së rastit, për faktin e thjeshtë se nuk bëhet fjalë për gjetje të fajtorit ose për hetim të një krimi të kryer por për konstatimin e shkeljes së rregullave mbi imunitetin e shefit të shtetit kosovar. Në të njëjtën mënyrë, nuk është i pranueshëm konstatimi i kryeministrit të MV, Hristijan Mickoski se procedurat e njëjta ndiqen edhe ndaj presidentes së këtij vendi fqinj. Nuk është i njëjtë statusi i presidentes së një shteti tjetër që kalon transit në territorin e një vendi sovran dhe të pavarur: në rastin e parë janë normat kushtetuese ato që japin përgjigje për pozitën e shefit të shtetit, në të dytin normat e të drejtës zakonore. Sidoqoftë, duhet përshëndetur shprehjen e keqardhjes nga kryeministri Mickoski për incidentin e ndodhur më 2 gusht.
Çdo kohë ka njerëzit e vet, thotë një fjalë popullore. Përtej kuadrit juridik ndërkombëtar të mbrojtjes së shefit të shtetit, më duhet të them dy fjalë për shefen e shtetit të MV-së, librat e së cilës i kam lexuar fund e krye, disa kohë para se bëhej presidente e MV-së. Ajo është një profesoreshë e të drejtës kushtetuese. Për qëllime studimore, më është dashur t’i lexoj librat e saj. Në pjesën që kanë të bëjnë me çështjet e ndjeshme të qenies shtet në të drejtën ndërkombëtare, ato nuk dallojnë fare nga diskursi serb mbi të njëjtën çështje. Edhe në paraqitjet e saj publike, para dhe pas marrjes së pozitës së presidentit të MV-së, ajo ka manifestuar hapur bindje politike që shpërfillin statusin e Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur dhe të shqiptarëve si popull që përbën një shumicë të konsiderueshme në shtetin e saj. Këto rrethana nuk mund të injorohen me rastin e vlerësimit të incidentit të Shkupit me presidenten Osmani.
(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)