Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me virusin Nili Perëndimor.
Në Shqipëri në spitalin e QSUT në Tiranë janë shtruar 9 pacientë me moshë mbi 70 vjeç të prekur nga ky virus. Ndërsa nga ‘Ethet e Nilit’ kanë vdekur 3 persona dhe janë infektuar 17 të tjerë.
Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë por vigjilentë.
“Qëndroni të qetë, por vigjilentë. Rritni ndërgjegjësimin dhe zbatoni masat mbrojtëse. Infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimet e mushkonjave të infektuara. 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje. Vetëm 1% zhvillojnë forma të rënda”, u shpreh Silva Bino.
Më pas ajo tha që MSHMS sëbashku me ISHP dhe Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ka marrë masat duke kryer procesin e dezinsektimit dhe kryen monitorimin etomologjik periodik në të gjithë vendin.
“Mbroni veten dhe familjen tuaj!”, theksoi Bino.