Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndodhet në Prishtinë ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.
Ai u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, dhe doli në një konferencë të përbashkët për mediat, ku u diskutua për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Të gjithë zyrtarët edhe evropianë, të cilët po i takoj edhe vetë, po thonë që Shqipëria është e dyta në radhë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një arritje shumë e madhe, zoti ministër, të përgëzoj edhe ty sepse për shumë vite ke qenë edhe atje në kryeqytetin e Bashkimit Evropian dhe e ke bërë punën ashtu siç është më së miri. Në këto hapat e fundit jemi besimplotë që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri vitesh. Kjo do të jetë një arritje historike jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë kombin shqiptar, ashtu siç e kemi përshëndetur edhe siç ishte një hap gjigant edhe hyrja e Shqipërisë në NATO. Për Kosovën, anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk do të ishte vetëm inspirim, por edhe përfitues për aspiratën tonë eurointegruese. Ne dhe Shqipëria ndajmë të njëjtat objektiva shtetërore dhe kombëtare dhe është thelbësore që të bashkëpunojmë edhe më shumë në këtë drejtim,” tha Konjufca.









