Në një protestë të organizuar në Tiranë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një minutë heshtje për të nderuar 14 martirët mirditorë që u ekzekutuan më 17 gusht 1949.
Në fjalën e tij përpara protestuesve, Berisha theksoi se këta burra antikomunistë u martirizuan nga regjimi komunist dhe akuzoi ata për krime që nuk kishin kryer.
“Me 17 gusht në Qafë Valmirë, 14 atdhetarë mirditorë u ekzekutuan me një gjyq fars dhe akuzë të padrejtë. Ata ishin të pafajshëm dhe të angazhuar në luftën kundër regjimit komunist,” tha Berisha.
Ai nënvizoi se këta burra ishin viktima të një sistemi të korruptuar dhe se mesazhi i tyre për liri dhe drejtësi është i përjetshëm.
“Ndaj dhe sot le të nderojmë ne me një minutë heshtje martirizimin e Preng Dod Gjomarkaj, i varur në litar, Pjetër Vila, i varur në litar, Dod Mark Biba, i varur në litar, Pjetër Paloka, varur në litar, Nikollë Bardhok Bajraktari, ekzekutuar, Llesh Gjon Mëlyshi, ekzekutuar, Nikoll Lledh Bajraktari, ekzekutuar, Ndrec Mark Ndoji, ekzekutuar, Bardhok Dod Gjini, ekzekutuar, Gjok Gjin Kaçi, ekzekutuar, Gjergj Beleshi, ekzekutuar, Ndoc Çupi, ekzekutuar, Preng Shkurt Nikolli, ekzekutuar, Frrok Mata, ekzekutuar.
I përjetshëm mbetet mesazhi i martirëve të Qafë Valmirit.”, përfundoi Berisha.