-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: A janë mbushur në mend socialistët tani?

Kryesoret

Tani nuk është më enigmë: klasa politike, sidomos kjo që është në pushtet dhe që mendon të jetë edhe më tej, po njeh një sistem të ri ndëshkimi, që , edhe pse e pa shprehur deri në fund, ka sjell dëshminë e frikës dhe të gjykimit të zullumeve të saj.

Por, sidoqoftë, kjo është e pamjaftueshme dhe nuk ka të bëjë me kontrollin e brendshëm të saj: më tepër se gjithçka tjetër ka qenë e vazhdon të jetë vazhdë e reformës në drejtësi, q, edhe pse është zhvilluar sipas një modeli tipik shqiptar, pra me sy të mbyllur herë pas here dhe largime të porositura herë të tjera, ka ngjallë ndjenjën e besimit se ndëshkimi do të ketë ditën e tij.

Po ajo çfarë ka ndodhur më herët?

Qeveria e sotme duhet të na thotë hapur: Ju kemi gënjyer! Edhe po të dojë ta fshehë mashtrimin e saj, ndoshta më të rëndësishmin, nuk mund ta bëjë. Mashtrimi i saj është kaq i hapur, kaq i qartë, i prekshëm dhe real, sa që është e pamundur të fshihet!

Në  tre mandatet e qeverisjes së saj nuk është dënuar asnjë zyrtar i lartë i qeverive të mëhershme për vjedhjet që ka bërë, mashtrimet e pafund, sjelljen mediokre dhe varr hapëse të ekonomisë; nuk është penalizuar asnjë nga ministrat e djeshëm e qeveritarë të lartë, është toleruar dhe “ harruar” precedenti i rrezikshëm që solli në politikën shqiptare fenomeni politik “ lsi”, është harruar gjëma e keq qeverisjes, megjithëse gropa financiare e hapur prej tyre i ka ngjarë një lubie që nuk ka fund.

Përse ka ndodhur kështu? Përse qeveria Rama nuk i mbajti premtimet e saj të vitit 2013 për ndëshkimin e së keqes, përse e keqja u bë legale dhe u harruan ngjarje të tilla, tejet të rënda, si 21 janari, Gërdeci, Rruga e Kombit, shitja e detit, koncesionet marramendëse, abuzimet e mëdha, vrasja apo eliminimi i Kosta Trebickës…, përse ,me gjithë premtimet e bëra , asnjë nga abuzimet e mëdha të pushtetit nuk është dërguar për gjykim, ose në rastin më të pakët, të jetë bërë transparent deri në thërrmijat e saj? Vetëm një gjetje e rastësishme dëshmoi se familja Berisha, në një pronë të vetme , zotëron rreth 20 milion euro pasuri…., po në dhjetëra të tjera, anë e kënd këti vendi, fshehur pas gjithfarë kushërinjsh, shokësh, biznesmenë, oligarkë që bënin temena para dhomës së gjumit të birbos së familjes Berisha?

Kjo klasë politike, e djeshmja dhe e sotme, që u alternuan në pushtet, mbrojtën furishëm njëra tjetrën apo mes tyre ka një alibi të vazhdueshme për fshehjen e gropës që kanë ngritur vetë dhe që nuk duan kurrë të rihapet përsëri?

U bënë 8 muaj që ish shefi i qeverisë dhe shefi i klanit politik Berisha ndodhet në arrest shtëpiak. Një gjetje për të justifikuar gjurmët e humbura në aferat e tjera, nga të cilat, kjo e tanishmja, e mbështetjes së dhëndrit të tij në një aferë të njohur, mund të jetë më e pa rëndësishmja. Çfarë është bërë? Nëse hetimi vazhdon me këtë ritëm dhe i mbylluri në katin e tetë bën lojën e mbylljes duke hapur dyert dhe afishuar çdo natë mesazhet e tij politik, ku shënjon çka i vjen në mendje, atëherë është normale të pyetet – deri kur?

Pyetja themelore është e Qartë për secilin : a do të ndëshkohet kjo klasë politike, pavarësisht nga ngjyrat e saj?

Mos e gjitha është kther në lojë kukullash, me sulme dhe sharje, mallkime e denoncime, fyerje dhe linçime politike për të mbajtur pikërisht këtë gjendje, në të cilën oligarkët politikë dhe peshkaqenët e pasurive të pa ndershme notojnë në ujërat e tyre?

Për të majtën, e jo vetëm për të, Berisha ka qenë simboli i së keqes, i mashtrimeve të mëdha, vrasjeve, kërcënimeve, përfitimeve.

Për të djathtën simboli i tanishëm i së keqes mbetet shefi i tanishëm i qeverisë. Në fakt, pdo shef qeverie i së majtës, në periudha të veçanta , ka qenë simboli i së keqes. Kështu ka ndodhur me Fatos Nanon, që u bë befas miku i Berishës, i cili, pa asnjë lloj turpi dhe skuqje, të paktën njerëzore, deklaroi se e gjithë fushata kundër tij ishte për zgjedhjet politike të radhës dhe fajtorë ishin ata që e kishin besuar. Kështu ndodhi me pasuesin e tij, Majkon, e më tej, me Ilir Metën, që u bë më pas u bë  e mbeti miku i adhuruar i klanit Berisha. Tani është radha e Edi Ramës. E Dumanit.

Po ndëshkimi?

Le të bëjmë që në fillim një marrëveshje: me emërtimin Berishë le të kuptojmë jo vetëm njeriun që mban emrin SaliBerisha, por gjithë atë që fshihet e struket pas tij; klanin e familjes, ish nomenklaturën e lartë të pushtetit, pra, të gjithë ata që, duke qenë në pushtet e duke ikur nga pushteti, bënë një batërdi të vërtetë mbi Shqipërinë, e çorën atë deri në palcë, e rropën deri në deje dhe, më në fund, si për të dashur të vënë kujën e ngadhënjimit, thanë buzagaz :” Këtu jemi, ejani e na kapni”.

Dy rrugë ka: ose këto njerëz, më në fund, pas 12 viteve, duhet të gjykohen, ose pushteti i tanishëm duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për të gjitha akuzat që ka bërë në tetë vite pushtetit që iku. Rrugë të mesme nuk ka e nuk mund të ketë: ose do të jetë njëra, ose do të jetë tjetra.

Kur në vitin 1997, Berisha iku i përzënë nga pushteti, në mitin e tij që ende nuk ishte shembur plotësisht, kishte ende një dritëhije, e cila, me gjithë çka kishte ndodhur , fshihej pas thirrmës se “ ai është i ndershëm”, dhe kjo legjendë, e ngritur si një alibi për të ardhmen, e mbajti atë në politikë, e ktheu në pushtet nga përplasja e së majtës brenda vetes, e bëri edhe një herë, por më shumë se më parë, zot të fatit të gjithkujt. Dhe si për të dashur të përmbushë profecinë se “nuk është e lehtë të rrëzohet nga kali”, me 23 qershor 2013, kur iku, mori në rrokopujë gjithë ekonominë e vendit. Ajo që i kishte mbetur pa u marrë, e bëri në tre muajt e dorëzimit të pushtetit; duke shitur çfarë kishte mbetur pa u shitur; duke falur çka kishte mbetur ende në pjesë të pandarë, duke dhënë koncesione, për të cilat nuk i kishte vajtur mendja kurrë t’i jepte dhe, po të kishte pasur edhe pak kohë, ai do të kishte shitur edhe hidrocentralet e Komanit e të Fierzës, ndoshta me një çmim qesharak, por që ishte ende mes rrethit të tij.

Tani nuk ekziston më asnjë hamendje e tillë: “ndershmëria” e hamendur e Berishës, ishte më pak se një mjegull e përkohshme, pas së cilës janë zhvilluar disa nga ngjarjet më tragjike të 34 viteve të fundit , e njëkohësisht disa nga grabitjet më të pazakonta.

Njeriu që erdhi me bluzë të bardhë në politikën shqiptare u përgjak krejtësisht brenda një ri ardhje në pushtet, megjithëse përgjakja e tij e madhe kishte qenë në vitin 1997.Por, ndonëse ajo që kishte ndodhur aso kohe ishte fshehur pas tmerrit të përgjithshëm, kjo e fundit ishte e gjitha e tij; deri në skajet më të fundit ishte projektuar, ndjekur qetësisht e zbatuar nga Ai, të tjerët kishin qenë pjesë e lojës së përgjakshme, por jo vetë loja. 21 janari mbetet i pa gjykuar.

Dilemës në se duhet të gjykohet e të dënohet Berisha nuk i shpëton askush. Edhe ata që votuan kundër tij, edhe njerëzit pranë tij, nuk i shpëtojnë kësaj dileme, brenda së cilës jeton edhe vetë familja e tij. Jam i bindur se në mbrëmjet pas kalimit të ankthit të parë, ri vjen çasti i ankthit tjetër, dhe sado që përpiqet në mëngjesin e së nesërmes të jetë ende njeriu i fortë, duken gjurmët halucionante në gjithë sjelljen e tij.

Dilema e gjykimit të Berishës, e Ilir Metës, gjithë  klanit të tyre i kaloi caqet e zakonshme të Shqipërisë: ajo u bë edhe një dilemë ndërkombëtare, është tashmë, si mund të cilësohet, një çështje e shtruar për zgjidhje.

Është ish presidenti dhe ish kryeministri i parë i një vendi nga blloku i dikurshëm i Lindjes që shpallet familjarisht e zyrtarisht i pa dëshiruar në dy shtetet më të fuqishme anglo saksone, për korrupsion madhor, pengim të drejtësisë, dhunimin e së drejtës.

Ka dhjetëra arsye përse Ai duhet të shkojë para gjyqit. Si thoshte me të drejtë një analist i njohur, do të duheshin disa jetë që ai t’u përgjigjej akuzave të ngritura për të, ose fakteve që i rëndojnë këto akuza.

E gjithë ardhja e tij në politikë përmes një bordi të fuqishëm serb e bënë atë fillimisht të fuqishëm, për aq kohë sa ishte e domosdoshme, por edhe jashtëzakonisht të bindur. Nëse duhet të fillojë ndonjëherë gjykimi i tij, mendimi im është se nuk duhet të ketë pikënisje vrasjet, mashtrimet, vjedhjet e jashtëzakonshme, hedhjen e Shqipërisë në greminë njerëzore, ekonomike e politike; por hapi i parë duhet të jetë pikërisht kjo: ardhja e tij në politikë përmes bordit serb, vasaliteti i tij ndaj këtij bordi; përçudnimi i çështjet kombëtare shqiptare deri në zvetënim; ndasia e krijuar përmes tij, sipas një studimi të qartë beogradas, mes forcave çlirimtare dhe njerëzve të zakonshëm, mbështetja deri në një urdhër të dytë të klasës titiste e udbashe në Kosovë e në vise, të cilët filluan të bëhen zotëri të shtëpisë ku e shumta mund të ishin pjesëz; ri ardhja e tij në pushtet përmes klanit të fazlliqëve, që nuk ishte asgjë tjetër veçse paraqitja e dytë e forcës udbashe në politikën shqiptare; tentimi për të përçarë forcat çlirimtare gjatë luftës, kur njerëzit e tij, shpesh herë të organizuar nga Azem Hajdari i bënin pritë njerëzve të UÇK-së, vrasja në pritë, nga njerëz afër tij,  e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ilir Konushevcit,”Mërgimi” dhe mjekut Malaj, në maj 1998,  e deri tek organizimi i grushtit të shtetit në shtator të vitit 1998, në të njëjtën kohë kur kishte filluar ofensiva e forcave serbe në zonën operative të Dukagjinit.

Nëse nuk sqarohen ligjërisht të gjitha këto ndodhi, aspak të rastësishme, së bashku me thyerjen jo të rastësishme të embargos ndaj ish Serbisë, dhe furnizimi me armë i regjimit vrasës, të gjitha të tjerat do të jenë të mangëta, do të jenë një proces i zakonshëm vjedhësish e mashtruesish, nëpër të cilat vërtet kanë rrjedhur miliona e miliona, por që nuk e kanë një zanafillë të zakonshme.

Nëse nuk do të ishte kjo fillesë atëherë nuk do të kishte pasur as vit të prapështe 1997, as thirrjet e çmendura për një luftë të veriut kundër jugut, as armatosje të veriorëve për të luftuar kundër jugorëve, as armatosje partiake, ashtu si nuk do të kishte më shumë se 4 mijë të vrarë në harkun e një viti. Ndoshta duket paradoks një krahasim i tillë, por duhet bërë: në harkun e pak viteve, nga krimi i rrugës, ose më saktë, nga diktatura e rrugës, u vranë më shumë njerëz të pafajshëm nga sa ishin vrarë në  regjimin e Hoxhës në 40 vite. Ndjej dhimbje nga një krahasim i tillë, kur për më tepër edhe babai im, ishte viktimë e regjimit të shkuar, por kjo është një e vërtetë që nuk rëndon vetëm Berishën, por edhe ata që mbyllën sytë në vitin 1997, dhe që më pas, në parlamentin e Shqipërisë, u mburrën se kishin qenë pikërisht ata që e kishin falur atë. Sikur të kishin falur mallin e të atit, e jo krimin që duhej ndëshkuar.

A janë mbushur në mend socialistët tani? Nuk e besoj.

Socialistët në pushtet janë një masë amorfe që e harrojnë shpejt të djeshmen, duke injoruar ndëshkimin si vlerë./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit