Të tjera detaje janë zbardhur për ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Tiranë ku një amerikan, Mathew James Werts që punonte si profesor në kolegjin privat “Albanian College Tirana” vrau gruan, qentë dhe në fund vari veten.
Mësuesi amerikan ishte pushuar nga puna në SHBA pasi ishte i alkoolizuar, por gjeti strehë dhe punësim në shkollën “Albanian College Tirana”. Werts jepte lëndën e anglishtes dhe filozofisë.
Gruaja e tij Indah Lilis Sartika Saragih ishte me origjinë nga Indonezia. Media indoneziane Tempo.Co shkruan se “në shtëpinë e saj mund të shkoje vetëm kur i shoqi nuk ishte prezent. Saragih kishte po ashtu aktivitet minimal në rrjetet sociale”. Sipas Tempo.Co, në kryeqytetin shqiptar jetojnë rreth 50 indonezianë.
Policia gjeti një letër të shkruar prej autorit ku ndër të tjera thuhej “Më falni, nuk ia dola dot”. Shkaqet e ngjarjes së rëndë, që ndodhi në shtëpinë që çifti kishte marrë me qira në zonën e Laprakës, mbeten të panjohura. Dyshimet janë se 53-vjeçari Wertz e ndërmori aktin e rëndë në kushte të rënduara psikologjike.
Detaje te reja nga vrasja seriale e mësuesit të Albanian College Tirana