Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës përballë Gjeorgjisë mbrëmjen e 10 shtatorit në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Në konferencën përpara ndeshjes trajneri i Kombëtares, Sylvinho u shpreh se të gjithë lojtarët janë gati dhe se pret një ndeshje të bukur në Tiranë.
“Do mundohemi të bëjmë një përfaqësim sa më të mirë. E kam thënë që ky është një grup i ekuilibruar. Ukraina është shumë e fortë. Gjeorgjia gjithashtu dhe trajneri ka bërë një punë të mirë. Çdo trajner e përgatit skuadrën për ta fituar. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur, stadiumi do të jetë plot. Ne duam të përfaqësojmë sa më mirë kombin në ndeshjen e nesërme”, tha Sylvinho.
Më tej ai u shpreh se “Përgjatë një ndeshje mund të bësh 5 ose 2 ndryshime në varësi të situatave. Skuadra ishte e vendosur mirë me Ukrainën. Është kohë shumë e vogël për të rikuperuar për lojtarët. Sot do të jetë stërvitja e parë pas kthimit nga Praga. Gjithë stafi dhe ne do të vendosim se cilët do të jenë lojtarët e duhur për t’u hedhur në fushë.
Do të shohim gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi 23 lojtarë të gatshëm, të gjithë janë në formë të mirë. Është akoma shumë herët, ndoshta nesër pas drekës do të kemi një pamje më të gjerë”.