Banka Qendrore Europiane ka ulur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke zbritur në 3.5%. Megjithatë, institucioni financiar paralajmëroi se “inflacioni pritet të rritet përsëri në pjesën e fundit” të vitit 2024.
Banka Qendrore Europiane (BQE) uli normat e interesit edhe me 0.25 pikë përqindje të enjten.
Institucioni financiar me bazë në Frankfurt uli normën bazë të depozitave në 3.5%, në linjë me pritshmëritë, duke ofruar lehtësim të mëtejshëm për familjet dhe bizneset e eurozonës.
“Të dhënat e fundit të inflacionit kanë qenë sipas pritshmërive,” tha BQE në një deklaratë.
Por banka paralajmëroi se rruga përpara nuk do të ishte e qetë, duke thënë se “inflacioni pritet të rritet përsëri në pjesën e fundit të këtij viti, pjesërisht për shkak të efektit të çmimeve të energjisë”.
Pas rritjes së normave të interesit me një ritëm rekord që nga mesi i vitit 2022 për të luftuar shtrenjtimin e çmimeve të konsumit, BQE ka filluar të lehtësojë presionin pasi norma e inflacionit ka rënë.
Banka e kishte ulur normën e saj të depozitave në 3.75% në qershor.
Rritja dhe inflacioni në eurozonë
Këshilli që përcakton normat, i udhëhequr nga presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, duhet të balancojë shqetësimet për një perspektivë zhgënjyese të rritjes me nevojën që inflacioni të arrijë dhe të qëndrojë në objektivin 2% të bankës.
Inflacioni në eurozonë, që ka 20 anëtarë, ra në 2.2% në gusht nga 2.6% në korrik, pasi arriti kulmin në 10.6% në tetor 2022.
Çmimet e konsumit u rritën pasi Rusia ndërpreu shumicën e furnizimeve me gaz natyror në Europë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, duke shtrenjtuar faturat e shërbimeve.
Rimëkëmbja nga pandemia e COVID gjithashtu çoi në mungesa të furnizimit me lëndë të para, duke nxitur më tej inflacionin, i cili më pas u përhap në shërbime. BQE dhe Rezerva Federale e SHBA u përgjigjën me rritje të shpejtë të normave të interesit.
Fed gjithashtu pritet të bëjë një ulje të parë në normën e saj standarde nga një nivel më i lartë 23-vjeçar prej 5.25% në 5.5% në takimin e 17-18 shtatorit./DW