Në Tropojë, fondet publike po përfundojnë në duart e kompanive të lidhura me kryetarin Rexhë Byberi, duke ngritur dyshime për korrupsion dhe favorizime. Një tender për rikonstruksionin e një rruge, ku u përjashtuan kompani më të lira për detaje të vogla, u fitua nga kompania e kushëririt të tij. Kjo është vetëm një prej shumë rasteve ku tenderët publikë favorizojnë të afërmit e kryetarit, ndërkohë që procedurat ligjore shpërfillen, duke përfshirë miliona euro në marrëveshje të dyshimta.
Në prill të vitit 2023 kompania “Shëndelli” u shkualifikua nga një tender i hapur nga Bashkia e Tropojës për rikonstruktimin e një rruge, se në propozimin e saj kishte shkruar se do të priste 90 bimë të vogla, barishte dhe lule më shumë nga sa kishte vendosur bashkia.
Bashkia e Tropojës, me kryetar Rexhë Byberin, në mars të vitit 2023 kishte hapur tender për rikonstruksionin e rrugës “Bylbyl Breçani” në fshatin Markaj, me fondin 54.502.005 lekë (546.605 euro).
Nga gara u shkualifikuan 5 kompani, ndër të cilat 3 kishin konkurruar së bashku.
“Shëndelli” u shkualifikua, për shkak se bashkia kishte kërkuar të priteshin 3.218 bimë të vogla nga 0 deri në 10 centimetra, ndërsa kompania kishte shkruar se do të priteshin 3.128 bimë të vogla.
Tenderin e fitoi bashkimi i kompanive “Vllaznimi” sh.p.k. & “Griald” sh.p.k. me ofertën prej 42,425,171 lekësh (425.485 euro), ndërsa “Shëndelli” kishte paraqitur një ofertë prej 39.821.486 lekësh (399.373 euro). Ndryshimi mes dy ofertave ishte 2.603.685 lekë (26.112 euro), por hijet e dyshimit nisin pikërisht te fituesi i tenderit.
Kompania “Vllaznimi” sh.p.k., e shpallur fituese, është në pronësinë dhe në administrimin e Bashkim Byberit, djalit të xhaxhait të titullarit të Autoritetit Kontraktor, Rexhë Byberi.
Ndryshe nga tenderi më lart, Bashkia e Tropojës nuk është kaq skrupuloze edhe në tenderët e tjerë.
Më 15 korrik të vitit 2021 Bashkia e Tropojës hap tenderin për të blerë një kamion me vlerë 6.400.000 lekë (64.186 euro)
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, që në urdhrin për hapjen e tenderit vërehen shkelje të ligjit. Konkretisht, në datën 6 korrik nënkryetari i bashkisë, Abedin Kërrnaja, i autorizuar nga kryetari, Rexhë Byberi, urdhëron ngritjen e grupit të punës, pjesë e të cilit është edhe P. R., i cili është njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Ky emërim është në shkelje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 285, datë 19.05.2021, ku neni 75, pika 2, thotë shprehimisht: “Personat përgjegjës për hartimin e dokumenteve të tenderit nuk mund të emërohen anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave” dhe ngarkon me përgjegjësi Titullarin e Autoritetit Kontraktor dhe vetë punonjësin, i cili ka deklaruar në të dy rastet.
Shkeljet në këtë tender, sipas KLSH, vijojnë, pasi bashkia nuk përcakton thuajse asnjë specifikim teknik lidhur me kamionin që duhet blerë, përveçse të ketë një shpejtësi maksimale prej 180 kilometrash në orë. Tenderin e fiton kompania “Timac”, e cila, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, është shpallur fituese në mënyrë antiligjore.
Nga këqyrja e dokumentacionit rezulton se Bashkia e Tropojës ka shpërfillur hapur ligjin në tender në të paktën 3 raste.
Fillimisht, nenin 78 të Ligjit për Prokurimet Publike, në të cilin shkruhet se, asnjë kompani nuk mund të përfitojë tender publik, nëse njëri prej drejtuesve ose përfaqësuesve të saj është i ndaluar për të përfituar fonde publike. Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga institucionet, rezulton se kompania fituese në kohën e këtij tenderimi ka pasur si drejtues ligjor një person, i cili rezulton, sipas buletinit zyrtar të APP, i përjashtuar nga procedurat e tenderimit.
Së dyti, KLSH thekson se kompania fituese “nuk i plotëson kriteret e vendosura dhe është kualifikuar padrejtësisht, pasi specifikimet teknike nuk kanë përputhshmëri me ato të përcaktuara në dokumentet standarde lidhur me peshën e mjetit, aftësinë mbajtëse, peshën aksiale, llojin e materialit të kazanit, shpejtësinë e lëvizjes, si dhe opsionet ekstra (xhamat elektrikë, airbag, radio, CD)” dhe pasi “në deklaratën e garancisë për mallin e ofruar nuk janë përcaktuar dhe nuk janë përshkruar qartë të gjithë termat dhe kushtet e garancisë teknike, që mbulon ofertuesi”.
Një tjetër rast i analizuar nga INA Media ka të bëjë me tenderin për blerjen e druve të zjarrit, me vlerën 54 milionë lekë të vjetra.
Fitues në këtë procedurë është shpallur një person fizik, i cili është i vetmi aplikant. Sipas të dhënave zyrtare rezulton se lidhja e kontratës me këtë individ është bërë 3 muaj përpara se të shpallej fitues. Kontrata është lidhur në datën 09.09 2021, ndërsa fituesi është shpallur në datën 24.12.2021.
Edhe kontrata mes bashkisë dhe fituesit është publikuar në të njëjtën datë, kur është shpallur fituesi, që, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, përbën “shkelje të të gjitha afateve ligjore”.
Në nenin 119 të ligjit nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, në nenin 32, pika 5, në nenin 7 të VKM nr. 285, datë 09.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, citohet: “Autoriteti/enti kontraktor dërgon për publikim njoftimin e fituesit në përputhje me parashikimet e nenit 97 të LPP dhe njoftimin e lidhjes sё kontratës jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas nënshkrimit të kontratës”. Për mosveprimin në kohë dhe brenda aftave ngarkohet me përgjegjësi personi përgjegjës për prokurimet.
E pyetur nga INA Media në lidhje me këtë shkelje ligjore Bashkia e Tropojës e drejtoi gishtin tek Agjencia e Prokurimit Publik. Bashkia thotë se “janë dokumente, që publikohen aty”, pra në APP.
Në maj të vitit 2022 Bashkia e Tropojës hapi një tender me objekt “Rikonstruksion thertorja Shudenicë + Ndërtimi i tregut të bagëtive”.
Tenderi me vlerë afro 120 milionë lekë të vjetra është fituar nga bashkimi i dy kompanive: “Trajler” sh.p.k. dhe “Ouen” sh.p.k.
Kompania “Trajler” është nën administrimin e Anila Byberit, e cila është familjare e kryetarit të bashkisë, konkretisht bashkëshortja e kushëririt të parë (djalit të xhaxhait tjetër të kryetarit të bashkisë, Rexhë Byberi, Hysen Byberit.)
Sipas analizës së tenderit, jo vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe vetë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë konstatuar parregullsi të mëdha.
Pasi kompanitë fituese kanë sjellë ofertën e tyre më 9 qershor 2022, dy prej tre anëtarëve të Komisionit të Ofertave i dërgojnë një letër kryetarit të bashkisë, Rexhë Byberi, ku e vënë në dijeni se kompanitë në fjalë nuk e kishin sjellë dokumentacionin të plotë dhe në këto kushte e kishin shkualifikuar atë. Por, një javë më vonë, njëri prej anëtarëve ndryshon mendim dhe së bashku me kryetarin e komisionit vendosin që t`i kualifikojnë kompanitë. Ndërkohë, për të njëjtën çështje mendimin nuk e ndryshon ekonomistja e bashkisë, e cila vendos që të mos e nënshkruajë dokumentin, por, meqenëse anëtarët e komisionit tanimë janë 2-1 me vota, kompanitë shpallen fituese.
Vetë Fitore Danaj, anëtare e komisionit në atë kohë, në një komunikim të shkurtër për INA Median ritheksoi qëndrimin e saj: “Për mua ka qenë një shkelje e ligjit, ndaj vetë nuk e kam firmosur”.
Danaj para disa muajsh është shkarkuar nga pozicioni që mbante në Bashkinë e Tropojës, duke e dërguar në punë në një njësi bashkiake, por ajo nuk pranoi të komentonte më gjatë për arsyet e shkarkimit të saj nga puna.
Mesditën e 2 qershorit të vitit 2024, dy vite pasi është rikonstruktuar tregu i bagëtive dhe thertorja, një burrë rreth të 70-ave, ulur në trotuarin në qendër të qytetit të Bajram Currit, nuk e di që ka një treg bagëtish në Tropojë. “Jo, nuk ekziston. Nuk ka, qysh kur është prishur komunizmi. Bagëtitë shiten direkt nga familjet, ne njohim njëri-tjetrin dhe i shesim me telefona”.
Të njëjtën gjë thonë edhe dy burra, që nuk dëshiruan që të identifikoheshin, për shkak se “Tropoja është vend i vogël, kemi njerëz të punësuar në bashki”.
“Thertorja është bërë e re, por nuk është vendosur në punë. Ka 2-3 vite që nuk është vënë në punë”, – shprehet njëri prej banorëve të zonës; ndërsa tjetri thotë: “Në Bajram Curr bagëtitë janë therur në kushte mjaft të këqija, por pas ankesave deri në qeveri është bërë një thertore e re, por nuk është vënë ende në punë”.
Rreth 1 kilometër larg qendrës së Bajram Currit, buzë një përroi, një banor identifikon thertoren, që ishte e mbyllur me një dry, në datat 2 dhe 6 qershor.
Thertorja është e veçuar nga zona e banuar, buzë një përroi, ndërsa në pamje të parë duket sikur aty nuk ushtrohet asnjë aktivitet prej kohësh.
Një dry i madh mbyll derën kryesore prej hekuri, ndërsa duket qartë se fasada dhe ambienti përreth janë rindërtuar jo shumë kohë më parë.
Në të njëjtin ambient ngjitur me thertoren ndodhet edhe i ashtuquajturi treg për bagëti, që së bashku me rikonstruktimin e thertores i kanë kushtuar Bashkisë së Tropojës 120 milionë lekë të vjetra.
Kompania “Vllaznimi” e kushëririt të parë të Rexhë Byberit ka nënshkruar mjaft kontrata me Bashkinë e Tropojës.
Në mars të vitit 2022 “Vllaznimi” fiton një tender për “Rikonstruksion Rruga Blini i Grisë-Lekurtaj”.
Në garë janë futur edhe 7 kompani të tjera, të cilat janë shkualifikuar.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, fituesi është shpallur, “duke shkelur ligjin në të paktën 5 raste nga ana e Bashkisë së Tropojës.”
Në total kompania “Vllaznimi” e familjarit të kryetarit të bashkisë ka përfituar tenderë në Bashkinë e Tropojës me një vlerë prej 476.885.863 lekësh ose rreth 4.7 milionë euro. Nga këta 20 tenderë i ka përfituar e vetme, ndërsa në 7 tenderë ka qenë ortake me kompani të tjera.
Ndërkohë, kompania “Trajler”, e lidhur gjithashtu familjarisht me kryetarin Rexhë Byberi, ka përfituar në total 69.583.801 lekë ose rreth 700.000 euro; nga këto në 3 tenderë ka fituar e vetme dhe në 4 të tjerë në ortakëri me kompani të tjera.
Të dyja kompanitë, si “Vllaznimi”, ashtu edhe “Trajler”, në të gjitha rastet i kanë fituar tenderët shumë pranë fondit limit.
Në të gjithë tenderët që ka fituar e vetme, kompania “Vllaznimi” ka pasur një fond limit prej 66,444,186 lekësh (66 635 euro), ndërsa gjithsej ka fituar kontrata me vlerë 64.783.070 lekë (649.714 euro), pra me një diferencë prej vetëm 1.661.116 lekësh (16.659 euro) nga fondi limit i totalit.
Ndërkohë, në dy tenderët e analizuar nga “Trajler”, që ka fituar e vetme, rezulton se fondi limit ka qenë 3.465.591 lekë (34.756 euro), ndërsa fituese është shpallur me një shifër prej 3.156.983 lekësh (31.661 euro) me një diferencë prej 308.608 lekësh (9.095 euro).
E themeluar në vitin 1998 kompania “Vllaznimi” ka një kapital të deklaruar prej 71.107.887,00 lekësh (713.146 euro), ndërsa xhirot vjetore kanë kapur kulmet e tyre në vitet 2021 dhe 2022.
Përkatësisht, sipas Open Data, kjo kompani ka pasur një xhiro vjetore në vitin 2012 prej vetëm 44.223.237 lekësh (443.518 euro), ndërsa në vitin 2019, që përkon me ardhjen në pushtet të Rexhë Byberit, kjo kompani arriti momentin më të mirë deri në atë kohë, duke pasur një xhiro vjetore prej 121.022.204 lekësh (1.213.741 euro), ndërsa viti 2021 rezultoi me një xhiro prej 166.606.013 lekësh (1.670.905 euro). Por, çuditërisht, pavarësisht se viti 2021 rezultoi si një ndër më të mirët për xhiron vjetore, në po këtë vit “Vllaznimi” deklaroi një fitim prej 2.476.125 lekësh (24.833 euro), që përbën gjithashtu një ndër fitimet më të ulëta të kompanisë ndër vite. Fitimin më të madh historik kjo kompani e ka pasur në vitin 2015 me 15.452.672 lekë (165.005 euro).
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi se “Vllaznimi” nga viti 2019 deri në vitin 2024 ka deklaruar 37 punonjës në vitin 2022 dhe 45 në vitin 2021.
Nga ana tjetër, kompania “Trajler” e Anila Byberit, pavarësisht se është krijuar në vitin 2016, deri në vitin 2019 ka qenë pothuajse joaktive.
Transaksionet e Thesarit mes kompanisë “Trajler” dhe Bashkisë së Tropojë nisin në vitin 2019, ndërsa nga ai vit deri në vitin 2024 janë kryer transaksione drejt kësaj kompanie në shumën prej 55.497.367 lekësh (556.587 euro), ndërsa shumica e tyre, absolute janë nga bashkia.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kjo kompani ka pasur të regjistruar nga viti 2019 deri në vitin 2024 vetëm 5 deri në 8 punonjës.
I pyetur nga INA Media në lidhje me abuzimet dhe shmangien e procedurave në dhjetëra tenderë kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, mohoi shkeljen e procedurave: “Nga ana e Bashkisë së Tropojës janë zbatuar me korrektësi të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore me procedurat e prokurimit”, – tha ai.
Në lidhje me konfliktin e interesit me fituesit e tenderëve publikë të Bashkisë së Tropojës nënkryetari i kësaj bashkie, Abedin Kërrnaja, i autorizuar nga titullari i tij, Rexhë Byberi, tha: “Për sa i përket pretendimeve tuaja për lidhjet familjare të titullarit të Bashkisë së Tropojës me kompanitë fituese të disa prej procedurave të prokurimit publik, ju sqarojmë se, në rastet kur titullari i bashkisë ka qenë në konflikt interesi, ka plotësuar formularët e konfliktit të interesit dhe ka deleguar me urdhër të drejtën e firmosjes”.
Bashkia e Tropojës refuzoi që të na vinte në dispozicion formularët e konfliktit të interesit të kryetarit të bashkisë, ndërsa vuri në dispozicion vetëm 5 urdhra vjetorë të delegimit të kompetencave për organizimin dhe për realizimin e procedurave të prokurimit publik.
Më tej nënkryetari i bashkisë, Abedin Kërrnaja, hoqi çdo përgjegjësi nga kryetari, Byberi, duke u shprehur: “Për sa i përket shpalljes fitues të X apo të Y, operatori ekonomik, siç mund ta dini edhe ju, nuk shpallet nga kryetari i bashkisë, por nga komisionet e ngritura.
Nënkryetari i bashkisë vijon, duke arsyetuar se, kompanitë e lidhura me familjarët e kryetarit janë shpallur fituese “edhe për faktin se këto shoqëri janë pothuajse ndër të vetmet që i ushtrojnë këto aktivitete në rrethin e Bashkisë së Tropojës”, ndërsa shtoi se nuk mund të penalizohen, vetëm se janë familjarë të kryetarit.
Nga ana tjetër, institucionet kanë nisur hetimet. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe i Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) tha pas një kërkese për informacion të INA Medias se nuk mund të japë detaje të hollësishme, pasi në bazë të kërkesës tonë kishte nisur një hetim të thelluar, jo vetëm për konfliktin e interesit, por edhe për pasurinë e Rexhë Byberit dhe burimin e krijimit të saj.
“ILDKPKI ka filluar procedurat e kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për deklaratat e interesave private të subjektit z. Rexhë Byberi. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimi administrativ do të kenë si objekt, jo vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmërinë e tyre, por gjithashtu edhe gjendjen e dyshuar të konfliktit të interesit në përputhje me parashikimet e kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi”, – tha ky Inspektorat në përgjigjen e tij.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e pyetur nëse është duke e hetuar kryetarin e Bashkisë së Tropojës dhe persona të tjerë, përgjegjës për ndonjë vepër penale, tha: “Nuk kemi asnjë informacion apo koment për të ndarë”.
Por, burime të tjera saktësuan se një hetim është duke u kryer edhe nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, pikërisht në lidhje me problematikat në këta tenderë.
Në lidhje me një sërë shkeljesh të konstatuara në procedurat e prokurimit të analizuara nga INA Media edhe Agjencia e Prokurimit Publik tha se janë gjetur mangësi të shumta.
“Konkretisht, konstatimet kryesore lidhen me hartimin e kritereve të veçanta të kualifikimit, të cilat nuk vijnë në përputhje me objektin përkatës të prokurimit, si dhe me kualifikimin e operatorëve ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit të audituara”, – tha APP.
APP tha gjithashtu në një përgjigje se, “lidhur me shkeljet dhe mangësitë e konstatuara, APP ka vendosur që të dënojë me gjobë 13 persona, si dhe t’i propozojë titullarit të Autoritetit Kontraktor marrjen e masës disiplinore ndaj 2 personave, të evidentuar përgjegjës”.
INA Media iu dërgoi kërkesa për komente edhe dy kompanive, “Vllaznimi” dhe “Trajler”, por nuk mori përgjigje deri në botimin e këtij shkrimi.
Pasditen e së hënës të datës 9 shtator 2024 Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion njoftoi se Gjykata e Posaçme e ka pranuar kërkesën e tyre për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, si dhe të nënkryetarit, Abedin Kërrnaja, të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Prerjes së paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrimit të pronës”.
Hetimet kanë zbuluar se Rexhë Byberi, kryetar i Bashkisë së Tropojës, dhe Abedin Kërrnaja, zëvendëskryetar i Bashkisë së Tropojës, janë të dyshuar për shkelje të ligjeve gjatë ndërtimit të rrugëve, duke shkaktuar një dëm të madh, financiar prej 277.611.520 lekësh (2.784.189 euro). Sipas dokumenteve, ndërtimi i rrugëve ka qenë në kundërshtim me VKM 408 të vitit 2015, që përcakton procedurat për ndërtimin e infrastrukturës dhe shpyllëzimin./ INA