-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Hisen Berisha: Rreziku i destabilizimit dhe nevoja për ndërhyrje ndërkombëtare

Kryesoret

Kërcënimet e fundit të Aleksandar Vuçiqit në raport me Kosovën janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme të Serbisë për të ushtruar presion politik dhe diplomatik, veçanërisht kur vijnë tensione apo zhvillime të rëndësishme në dialogun mes dy vendeve.

Këto deklarata shpesh bëhen për të krijuar një atmosferë frike dhe për të demonstruar forcën ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe brenda Serbisë. Vuçiq shpesh përdor retorikë kërcënuese për të shfokusuar vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi, si protestat dhe pakënaqësitë ekonomike, dhe për të rritur mbështetjen për të në mesin e opinionit publik serb. Kjo është shkolla e vjetër e Millosheviçit.

Vuçiq ka një histori të përdorimit të tensioneve me Kosovën për të fituar simpati brenda vendit dhe për të portretizuar veten si mbrojtës i interesave serbe në rajon.

Këto kërcënime gjithashtu shërbejnë për të minuar përpjekjet e Kosovës për të konsoliduar sovranitetin e saj, sidomos në veri të vendit, dhe për të krijuar një narrativë që Serbia është viktimë e padrejtësive ndërkombëtare.

Kam shumë dilema se ky hap i Vuçiqit e tjerë që po paralajmërohen, të jenë vazhdimësi e skenarit Banja ‘24!? Nëse nuk ka një qeveri të shpëtimit kombëtar, që do ta përmbyllte dialogun me njohjen dhe ratifikimin e kufirit me Serbinë, atëherë këto faza para e pas zgjedhjeve do të jenë shqetësuese, nëse nuk eliminohen politikisht autorët e skenarit të 24 Shtatorit. Ndryshimet ideologjike pas zgjedhjeve në SHBA janë determinuese të proceseve politike dhe të sigurisë globale edhe në rajon.

Aleksandar Vuçiq, zëdhënësi i shtetit dhe regjimit të Millosheviçit që sulmoi popullin slloven, kroat, boshnjak dhe shqiptar, regjimi i të cilit u shpall shtet gjenocidial nga OKB-ja, vazhdon të ndjekë të njëjtën linjë kriminale. Vuçiq është një imitator i ulët i Hitlerit nazist, që me thënie si “për një serb të vrarë, do masakrohen 100 boshnjakë apo shqiptarë,” po përpiqet të mbjellë frikë dhe destabilizim. Nëse ky kriminel lufte dhe zëdhënës i regjimit gjenocidial nuk arrestohet tani, atëherë BE-ja, NATO-ja dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shkelin mbi parimet dhe vlerat që ato promovojnë në procesin e integrimeve.

Vetëm Serbia në rajon ushqen ambicie ndaj shteteve fqinje, i kërcënon ato dhe diskriminon minoritetet kombëtare brenda juridiksionit të saj, qoftë shqiptarët në qytetet jugore të Serbisë apo gjermanët dhe hungarezët në veri të Serbisë, në rajonin e Vojvodinës, të cilët i ka asimiluar plotësisht përmes diskriminimit.

Një pyetje shqetësuese që duhet ta shtrojmë sot është se, nëse Serbia ndërmerr një hap ushtarak të pamatur, siç po kërcënon krimineli Vuçiq, ashtu siç bëri në Banjë më 24 shtator 2023, duke shkelur parimet bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mandaton NATO/KFOR-in atje, a do të sulmojnë këto shtete të fuqishme të Evropës e Azisë, investimet e tyre miljardëshe që po i bëjnë në Serbi?

Tolerimi i këtij regjimi është një fyerje për viktimat e luftërave në Ballkan dhe një tradhti ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Arrestimi i Vuçiqit është i domosdoshëm, përndryshe këto organizata dhe shtete do të jenë bashkëfajtore në legjitimimin e një regjimi që vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë në rajon.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit