Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Lulzim Rakaj. 38-vjeçari Lulzim Rakaj akuzohet për plagosjen e dyfishtë në Malësinë e Madhe ndaj Besmir Çofit dhe Avenir Hasanajt.
Në gjykatë ai deklaroi se shkoi ti takonte dy personat që plagosi pasi ata i kishin dhunuar nipin. Rakaj tha se kishte dyshuar se njëri nga ta kishte armë prandaj ka qëlluar.
“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur por di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, ka thënë në gjykatë Lulzim Rakaj.
Ndërkohë i plagosuri Avenir Hasanaj mori një plumb në gjoks dhe u operua dhe ka kaluar rrezikun për jetën.