Jo vetëm se ishin pushimet verore, por ka kohë që me përjashtim të ndonjë feste apo eventi, përfaqësitë e huaja kryesore diplomatike në Tiranë dhe sidomos titullarët e tyre “kanë rënë squk”! Pa pothuajse asnjë qëndrim dhe deklaratë, si ndaj qeverisë ashtu dhe veprimit opozitar.
Për këtë të fundit, heshtjen ambasadoriale në Tiranë nuk e justifikon as fakti që lideri i PD-së është shpallur “ non – grata” nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Ca më tepër kur rastet, problematikat, aferat dhe skandalet në Tiranë kanë qenë “ me shumicë” dhe tronditëse! Edhe deklaratat e javës së kaluar të Ambasadës amerikane dhe të BE-së, mbas abstenimit të shumicës parlamentare për rastin Xhaçka ishin anemike dhe jo nga titullarët, edhe pse çështja me mos zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është vërtet “ ulëritëse”!
Ndërkohë, Ambasada amerikane ka gati dy vjet pa titullarin e saj,e detyruar të përfaqësohet me të Ngarkuarën e dytë me Punë, Nancy Vanhorn.
Siç u pa dhe nga njoftimi i Ambasadës amerikane, takimi i saj me Kryeministrin Rama më 23 Gusht nuk i kaloi caqet e mirësjelljes diplomatike! Dhe Brukseli këto dy vitete fundit ka ndryshuar tre ambasadorë në Tiranë, me ulje të ndjeshme të profilit të tyre publik.
Çfarë kontrasti i madh me disa vite më parë, për të mos shkuar më larg, kur vështirë të kishte një ngjarje, incident dhe veprim politik në Tiranë që të mos kalonte “në fill të perit” diplomatik, pa deklarime pro dhe kundër nga përfaqësitë e huaja në Tiranë. Qëndrimet e tyre peshonin më shumë se deklarimet e qeveritarëve tanë.
Lidhur me këtë heshtje publike dhe “psetë“ e saj të mundshme, ka thathemnaja, hamendësime, dëshmi dhe hipoteza të ndryshme. Ka dhe mendime se kjo ndodh për shkak të mbështetjes së tyre nëpërmjet kanaleve zyrtare për qeverinë, si dhe indiferencën dhe kundërshtimin” e tyre të butë” ndaj opozitës, sidomos mbas shpalljes “non – grata“ të Berishës. Të tjerë flasin deri dhe “blerjen“ e ndonjë ambasadori ose kompromentimin me joshje pasurore dhe favore të natyrave të ndryshme.
Pa dashur të “vemë dorën në zjarr”, asgjë nga këto mundësi nuk mund të përjashtohet. Ashtu si dhe zyrtarët e tjerë, pavarësisht nga imuniteti diplomatik, as ambasadorët në Tiranë nuk janë imunë ndaj “sëmundjeve“ të kohëve moderne.
Nisur nga përvoja si diplomat në Tiranë, Bruksel, Berlin dhe gjetkë, pa pretenduar për një përgjigje shteruese, po jap disa mendime mbi “ psetë” e kësaj heshtjeje.
Le ta themi qysh në fillim se kudo në botë, veç vendit tonë, Kosovës dhe Shkupit deri diku, përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në një vend ose organizatë ndërkombëtare respektojnë Konventën e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike të vitit 1961, duke mos ndërhyrë dhe e duke mos u prononcuar publikisht për zhvillimet e brendshme politike dhe partiake.
Ato mbajnë qëndrime të paanshme, ndonëse janë partnerë me autoritetetshtetërore, shoqërinë civile, kulturën, etj.
E kundërta ngjau në vendin tonë në atë fillim të viteve 1992, kur pushtetarët e rinj demokratikas, megjithëse e kishin mbështetjen e duhur publike dhe institucionale, u pëlqente shumë të kishin në krah, duke u thurur lajka dhe lëvdata ambasadorët e SHBA-ve dhe të vendeve të tjera të mëdha; kjo veç të tjerash, duke dashur të tregonin se e kundërta ndodhte me të majtën të cilën Perëndimi gjoja nuk e donte.
Për fat të keq, disa ambasadorë u “bënë njësh“ me pushtetin, ata filluan të “bënin ligjin kudo“ duke legjitimuar fjalët dhe vendimet e pushtetarëve, duke mos ua vënë fare veshin paralajmërimeve të opozitës mbi aferat dhe skandalet e atëhershme.
Në atë ato vite u bëra dëshmimtar se si Ambasadorët në Tiranë nuk dinin ”ku të futeshin nga turpi” mbas shpërthimit të krizës tragjike të piramidave financiare, bashkë me shefat e tyre dhe të organizatave ndërkombëtare që “rrinin si pula të lagura“ në takimet me qeveritarët e rinj.
Në Maj 997 isha në Uashington me delegacionin qeveritar të kryesuar nga Kryeministri i ndjerë Bashkim Fino; aty erdhi në një darkë miqësore dhe ish Ambasadori i parë në Tiranë, William Ryerson, natyrisht kokëulur dhe i distancuar nga qeverisja e mëparshme. Çuditeshim kur mendonim se pesë vite më parë fjala e tij ”ishte bombë” për socialistët!
Historia dhe “gara“ me lloj lloj narrativash për t’u dukur dhe për të fituar pikë me Ambasadorët e mëdhenj u bë refren i bezdishëmderi këto 10 vitet e fundit kur filloi “zbatica“ e tyre.
Ambasadorët amerikanë, të BE-së, gjermanë, francezë, filluan të mos shfaqeshin në publik dhe në media me intensitetin e mëparshëm.
Edhe jehona e Ambasadores amerikane, Juri Kim tani duket si një kujtim tejet i largët, ndërsa atë të BE-së, veç zyrtarëve përkatës e njohin shumë më pak njerëz.
Kjo dukuri shpjegohet me disa aktorë dhe faktorë që po i përmendim më poshtë.
Së pari, dihet se Shqipëria këto 30 vitet e fundit u përfshi nga kriza pa fund me emra të frikshëm të cilat, dashur pa dashur, u bënë « mënyrë jetese dhe veprimi » për politikanët dhe liderët tanë. Ato shqetësuan dhe angazhuan shumë ambasadorë dhe ekipe nga ndërkombëtarët me shumë kohë, burime dhe telashe të tjera.
Aq sa e kishin “bërë dembele“ politikën tonë, se çdo krizë që prodhonim ne, vinin dhe na e zgjidhnin të huajt ku Ambasadorët në Tiranë ishin bashkërendues.
Kur isha diplomat në Bruksel dhe në Berlin në fundin e viteve 90 dhe deri nga viti 2017, më vinte aq keq për diplomatët e tyre fatkeq në Ministritë e Jashtme që mbulonin dosjet me vendin tonë.
Ishin vazhdimisht nën stresin e krizave dhe konflikteve tona, u anulloheshin lejet, gëzimet, u prisheshin programet, nuk kishin asnjë motivim; dhe në Pritjet tona zyrtare vinin 5 minuta dhe vrap e në zyrë!
Por kjo nuk mund të vazhdonte më gjatë. Jo vetëm se tani kancelaritë perendimore janë të angazhuara në shumë kriza dhe konflikte të mëdha, por sepse me të drejtë na thonë se tani jemi anëtar në NATO, aspirant në BE, ishim në KS të OKB-së.
Shkak tjetër madhor është se 10 vitet e fundit janë shpeshtuar ndjeshëm kontaktet ndërmjet liderëve të rajonit me ata të SHBA-ve, BE-së dhe vendeve të tjera të mëdha. Kjo si rrjedhojë e shtimittë dinamikave ndërkombëtare shumëplanëshe, rajonale, tëdiplomacisë parlamentare, ekonomike, kulturore, qytetare, etj.
Për pasojë, ambasadorët, që shërbejnë dhe si zëdhënës të krerëve të tyre të shtetit, qeverisë dhe diplomacisë kanë “humbur peshë“ diplomatike. Shumë shpejt ndryshoi dhe prirja e liderëve tanë që bënin çmos për “ta patur grurë“ me ambasadorët; kur madje u luteshin atyre ”me lezet” për të thënë një fjalë të mirë atje lart përta dhe reformat, apo për të siguruar një vizitë në kryeqytetet e tyre dhe takime me foto me shefat e tyre dhe anasjelltas.
Ndaj dhe “rrinin gatitu“ sidomos përpara ambasadorëve të mëdhenj në Tiranë pa lënë asnjë rast t’u ikte nga duart.
Kjo situatë ndryshoi ndjeshëm sidomos me përparimin e vendit tonë në proceset e integrimit Euro-Atlantik, fillimisht në NATO, pastaj me statusin « kandidat » dhe çeljen e negociatave me BE-në.
Për rrjedhojë, u shtuan ndjeshëm forumet dhe samitet dypalëshe dhe rajonale në shumë kryeqytete të Europës. Ndërkohë, liderët europianë filluan t’i frekuentonin ato, për të treguar brenda si dhe jashtë vendit angazhimin e tyre në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin e trazuar Perendimor. Po në këtë kuadër u shtuan dhe vizitat e liderëve të vendeve më të mëdha tëcilët si të thuash « u bënë si të shtëpisë » dhe në Tiranë. Kësaj dukurie i dha shtysë dhe organizimi i 3 – 4 samiteve të BE-së në Tiranë 2 – 3 vitet e fundit.
Veç kësaj, të gjitha organizatat e mëdha ndërkombëtare dhe forume të njohura botërore, si Forumi Botëror Ekonomik i Davosit dhe ai i Sigurisë së Mϋnihut organizojnë çdo vit panele kushtuar Ballkanit Perendimor ku sërish janë të pranishëm liderët e tij.
Për rrjedhojë, liderët tanë nuk kanë më nevojë as t’u qasen dhe as t’u luten ambasadorëve për ndonjë favor si dikur, sepse ata tani takohen vetë, siç i thonë fjalës « java shtatë dhe dita tetë » në shumë sebepe, zyrtare dhe jo zyrtare me homologët e tyre europianë dhe amerikanë.
Madje tani janë liderët tanë ata që u bëjnë ”karakteristikën” ambasadorëve. Kjo u pa dhe në një takim në Universitetin Bujqësor të Tiranës disa kohë më parë, ku Rama e krahasoi Juri Kim-in me ”sekretare të parë”! Apo kur mbas dakordësisë së 5 qershorit me opozitën për reformën zgjedhore, Kryeministri Rama e ”grisi” atë me betimin se në Tiranë nuk do tëbëhej më asnjë marrëveshje në tokë të huaj dhe në anglisht!
A do të guxonte dikush tjetër të bënte një deklaratë të ngjashme disavite më parë? Kursesi që jo!
Të gjithëve na kujtohet pohimi i bujshëm i Ambasadorit Arvizu nëjanar 2011 se“ Berisha është burrë shteti“! Mirëpo tani, vlerësimet ambasadoriale nuk kanë ndonjë vlerë, sepse liderët tanë dhe ta rajonit i marrin përgëzimet direkt “nga goja e kalit“ pra nga të mëdhenjtë politikë“. Siç bëri këtë vit më 15 Shkurt në Tiranë Sekretari Amerikan i Shtetit, A. Blinken kur “e ngriti në qiell” Kryeministrin Rama; kështu kanë bërë dhe Merkel, Ursula von der Leyen, Scholz, Macron dhe të tjerë.
Kësisoj, ambasadorët e huaj në Tiranë kanë dalë pothuajse « jashtë loje » në funksionet e përmendura. Krejt ndryshe nga më parë, tani janë ambasadorët ata që duan « të fusin ndonjë mik » të liderët tanë për t’u thënë një fjalë të mirë shefave të tyre kur takohen, çka është me mjaft përfitime për karrierën e tyre të mëtejshme. Kësisoj, ata e kuptuan se duhet të ndryshonin sjellje, të “tregoheshin të mirë, të bindur, jo zevzekë”, në mënyrë që të meritonin vlerësime pozitive nga liderët tanë. Ndryshe, ata mund të dalin fare lehtë nga « rreshti» duke i “paditur” me lezet te shefate tyre ose duke u thurur lavde, në vartësi të sjelljes së tyre.
Dihet se Shqipëria është vend që « gjuhet » shumë nga diplomatët e huaj për shumë arsye.
Përfundimisht, periudha e artë për ambasadorët e huaj në Tiranë ka mbaruar.
Tanimë, shefat e tyre, dmth ministrat e Jashtëm, kryeministrat dhe presidentët, nisur nga interesat pragmatiste gjeopolitike, pavarësisht nga stërbetimet demokratike dhe eufemizmat diplomatike po i spostojnë vlerat dhe parimet demokratike «prapaliste ».
E pamë se si marrëveshja Rama – Meloni për pritjen e refugjatëve ua ka shtuar zilinë qeverive të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Suedisë, etj të cilat nxituan të thurnin lavdet përkatëse, me shpresë për marrëveshje të ngjashme. Le pastaj strehimi i afganëve, muxhahedinëve, etj.
Për pasojë, ka të ngjarë që liderë të vendeve të ndryshme, të ndodhur në hall dhe telashe i porositin ambasadorët e tyre të sillen mirë, të mos ndihen e as t’u prishin qejfin apo humorin politikliderëve në vendet ku shërbejnë dhe më konkretisht në Tiranë.Ndryshe, të japin dorëheqjen dhe të kthehen, pik!
Mos ndoshta ky ishte shkaku që ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann e ardhur me bujë dhe zhurmë u largua në heshtje vitin e kaluar pa bërë as një vit në atë zyrë?
Nisur nga sa sipër, rëndësinë e prononcimeve publike të ambasadorëve e ka zbehur ndjeshëm dhe përqëndrimi i vendimarrjes në qendrat e metropoleve të huaja. Për pasojë, ambasadave nuk u mbetet tjetër veç të zbatojnë vijën që ju vjen nga lart, të veprojnë pa u parë dhe pa u dëgjuar në publik, me ndonjë përjashtim të rastit.
Por, ndoshta kjo heshtje e tyre publike po ndodh se dhe ”zullumet” tona janë shtuar dhe janë trashur aq shumë, sa vërtet nuk ka Zot që u del për zot!
Ndaj, tani ambasadorët në Tiranë parapëlqejnë të shohin punën e tyre, të ndjekin projektet, ndërsa deklaratat dhe prononcimet publike ua lenë shefave të tyre, kur vijnë në Tiranë ose kur takojnë tanët në vendet e tyre. Gjithsesi, siç thuhet rëndom, të dy ekstremet e lart përmendura takohen në një pikë; ato janë njëlloj të dëmshme sidomos në vendin tonë që ka arritje, por dhe halle që “bërtasin për zgjidhje”.