Policia e Korçës ka arrestuar një 44-vjeçar, Adrian Kroji, i dyshuar për kanosjen e jetës së një shtetasi dhe familjarëve të tij përmes rrjeteve sociale. Operacioni, i koduar “Accounts”, erdhi pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë.
Kroji dyshohet se, në mars, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Kreshnik Aliaj (i arrestuar në qershor), ka kanosur një 37-vjeçar dhe familjen e tij për të marrë para që varionin nga 2000 deri në 6000 euro. Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Krojin, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Materialet janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Korçës për veprime të mëtejshme.