Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se qeveria “Rama” ka përjashtuar 40 përqind të popullatës shqiptare që jeton në fshat nga përfitimet buxhetore të parashikuara në draftin e saj për vitin e ardhshëm.
“Sot unë jam për të denoncuar përjashtimin pothuajse të plotë, pothuaj në shkallë ekstreme të 40 përqind të popullatës shqiptare që jeton në fshat nga përfitimet buxhetore që janë kushtetuese dhe ligjore.
Përjashtimin e një sektori që kontribuon në prodhimin e brendshëm me rreth 20 përqind të tij. Për bujqësinë, me të cilën mbahen pra 40 përqind e popullatës, e cila kontribuon në rreth 20 përqind të prodhimit të brendshëm, buxheti i këtij viti parashikon në mënyrën më absurde gjithsej 40 milionë euro.
Gjithsej më pak se një të dyqindtën e buxhetit prej 8.8 miliardë euro. Gjithsej më pak se një të gjashtëqindtën e prodhimit të brendshëm të vendit.
Nuk ka një vend të dytë në botë të shumëzojë me zero në këtë mënyrë sektorin që kontribuon me 20 përqind të prodhimit të brendshëm dhe që mban 40 përqind të popullatës, ta përjashtojë në këtë mënyrë shkatërrimtare.
Në këtë mënyrë të qëllimshme, që të nxisë me të gjitha mënyrat rrënimin e prodhimit bujqësor, blegtoral, rritjen e çmimeve në treg të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, largimin masiv të familjeve nga fshati për në vende të tjera. Falimentimin e fermave të tyre” tha ai.









