-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Agim Nesho: Kurti nuk mund të legjitimojë Pashicin në Kosovë

Kryesoret

Kurti është një politikan që është admiruar për karakterin e tij të fortë dhe qëndresën për cështjen kombëtare. Ai ka meritën e madhe që i rezistoi presionit për të pranuar projektin e Ballkanit të Hapur, projekt që do të sillte dominimin serb në Ballkan, duke anashkaluar Kosovën dhe rrezikuar një realitet të ndryshëm gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, jashtë perspektivës Europiane dhe nxitjen e influencave të fuqive autokrate për rritjen e zonave të tyre të influencës.

Ajo që i ka munguar qeverisë dhe shtetit në Kosovë është se ajo i ka përballuar këto sfida e vetme, edhe kur regjimi i Edi Ramës në Tiranë kishte zgjedhur si partner Vucicin e Beogradit për të qenë aktorët e preferuar të zgjidhjeve pragmatiste në Ballkan dhe realizuar pushtetin e tyre autokratik.

Kurti nuk ka gabuar kur e ka mbajtur larg Ramën, por jo Shqipërinë. Jo se ai është një figurë kontraversiale, protagonist, por sepse Rama ka mbajtur pozicione të qarta anti-kombëtare, si në përkrahje të skenareve ruso-serbe të ndryshimit të kufijve, të Ballkanit të Hapur, të presioneve ndaj Kosovës për të pranuar cdo kërkesë që aktorë të komunitetit ndërkombëtar shprehnin në favor të ledhatimit të regjimit nacionalist të Beogradit, që dhe ai “të merrte dicka”.

Kurti dhe Osmani kanë pasur të drejtë kur kanë parë se regjimi i Tiranës ju ka mbyllur derën për kërkesat legjitime të Kosovës për dënimin e genocidit serb në Kosovë; kur Rama njohu Veriun e Kosovës si “tokë e askujt”; të mos pranimit të sulmit terrorist në Banjskë si një sulm i sponsorizuar nga Beogradi, e deri në vendosjen e sanksioneve i pari ndaj Kosovës dhe vetë-propozimit të draftit të Asosiacionit të komunave serbe.

Ai i ka tallur dhe përbuzur liderat e Kosovës në sy të Vucic-it, kur ata kanë qëndruar për atë cfarë besonin. Ai ka projektuar skenarë së bashku me Vucic dhe ka shijuar verërat e Serbisë, kur regjimi i Beogradit përgatiste dosjet kundër udhëheqësve të UCK-së. Miqtë e Ramës që ai i do, i sajdis dhe bashkëpunon edhe në dëm të interesave Shqipërisë, ishin ata që votuan kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës (Partia e Melonit, Orbanit, parlamentarët e Serbisë) etj. Politika e tij e jashtme “plot suksese” është një politikë klienteliste që shtypi prestigjioz ndërkombëtar e quan justifikim të mafiokracisë.

Kurti dhe institucionet e Kosovës e pranuan aktivitetin e përbashkët të kuvendeve të dy shteteve, për arsye të presionit të brendshëm, që marrëdhëniet midis dy qeverive janë në nivelin më të ulët. Për më tepër, që treguan përgjegjshmëri për të pranuar një bashkëpunim thelbësor me Shqipërinë, kur interesat sovraniste të Kosovës vihen në rrezik. Por sjellja e Ramës ishte sjellja e një demagogu, që jep këshilla për të evidentuar “largpamësinë dhe neutralitetin e tij”. Ai përmend Rugovën, kur në takimin e mëparshëm e mohoi veprën e tij duke detyruar përfaqësuesit e LDK-së të linin parlamentin; Këshilloi qeverinë e Kosovës të ngrijë dialogun me Serbinë, kur deri tani ka kërkuar të kundërtën; Kërkoi rezolutë për Gjykatën Speciale në Hagë për demagogji, kur dihet se ai dhe Vucic janë inisiatorët e gjykatave për t’ju hapur rrugë pushtetit të tyre të pakufizuar në Shqipëri dhe Kosovë me një drejtësi të komanduar.

Takimi i djeshëm ishte një shfaqje e panevojshme, që duhej shmangur përpara atdhedashurisë së një populli të tërë që kërkon bashkim të faktorit Shqiptar dhe unitet në veprim. Pa një reflektim për politikat e deritanishme nga Rama dhe dënim të politikave shoviniste të Vucic për hapësirat serbe, cdo gjë do të mbetet një shfaqje.
Kurti dhe partitë e tjera opozitare duhet të kuptojnë që Kosova do të marrë frymë vetëm atëherë kur të shkatërrohet lidhja Rama-Vucic dhe projekti i tyre për Ballkanin që i mban në pushtet. Ai nuk mund të legjitimojë Ramën, jo si diktatori i ri i Shqipërisë por si një Pashic i ri që me të drejtë gazetari i mirënjohur gjerman, Martens, e ka quajtur “Rama – kryeministri më i mirë i Serbisë”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit