Greqia po përgatitet për një nga grevat dhe protestat më të fuqishme të viteve të fundit, që do të zhvillohet më 28 shkurt. Kjo përkon edhe në përvjetorin e dytë të tragjedisë së Tempit, ku dy trena u përplasën dhe humbën jetën 57 pasagjerë, shumica prej tyre studentë.
Protestat dhe grevat janë shoqëruar nga një humbje e besimit të qytetarëve në drejtësinë dhe qeverinë pas dy vitesh, ku nuk është gjetur ende një fajtor dhe ka pasur përpjekje nga politikanët dhe drejtësia për të mbuluar provat e ngjarjes.
Sondazhet e fundit tregojnë se partia në fuqi, Demokracia e Re, ka humbur shumicën e mbështetjeve, me 68% të grekëve që nuk besojnë se do të vendoset drejtësia për tragjedinë.
Pjesa më e madhe e qytetarëve janë të pakënaqur me përpjekjet e qeverisë, drejtësisë dhe opozitës parlamentare për të zbardhur ngjarjen, duke kritikuar veprimet e kryeministrit Mitsotakis për përpjekjet e tij për të mbuluar çështjen.