Forume ndërkombëtare të nivelit më të lartë, ku vendi ynë është përfaqësuar dhe ka drejtuar vitet e fundit, sidomos zgjedhja për herë të parë si anëtarë të përkohshëm të KS të OKB-së (2022 – 2023) kryesimin për herë të parë të OSBE-së më 2020, mikpritjen e disa samiteve qoftë dhe simbolike të BE-së në Tiranë, kryesimi i nismave rajonale e deri te çelja e dy grup-kapitujve të negociatave të anëtarësimit në tremujorin e fundit të vitit 2024.
Po ashtu, është njoftuar mbajtja në muajin maj në Tiranë e Samitit të radhës të Komunitetit Politik Europian (KPE) me mbi 45 liderë europianë etj.. Ndërkohë, për herë të parë pritet të zhvillohet në Tiranë më 2027 Samiti i NATO-s dhe Kongresi Botëror i Ligjbërësve; gjithashtu do të ketë konkurse, kampionat europian futbolli, gara automobilistike etj.
Le ta theksojmë se për to kanë meritën e tyre Ministria e Jashtme, Qeveria, Kuvendi dhe dikasteret e linjës. Ndërkohë ka rëndësi të nënvizohet se në marrëdhëniet ndërkombëtare asgjë nuk arrihet brenda natës apo dhe vitit. Çdo arritje si dhe ato të lartpërmendurat janë kurorëzim dhe i punës dhe përpjekjeve të disa brezave qeveritarë dhe diplomatike në shumë faza deri në “pjekurinë” dhe krijimin e kushteve të duhura dhe ato logjistike për mbajtjen e veprimtarive të tilla, krijimi i besueshmërisë së nevojshme etj.
Ndaj, pa mohuar meritën e sotme, fakti që të tilla forume dhe evente nuk janë mbajtur më parë shpjegohet kryesisht me fazat e nevojshme, ku ato duhet të kalojnë deri sa të arrijnë në nivelet më të larta. Për rrjedhojë, edhe arritjet e lartpërmendura, nuk do të ishin realizuar nëse Shqipëria nuk do të kishte kryesuar vite më parë KiE-në, nismat rajonale, nuk do të ishte zgjedhur 2 herë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKBsë me seli në Gjenevë, si dëshmi të domosdoshme të performancës së saj ndërkombëtare për më lart. Ja pse në vend që këto hapa dhe arritje të shënuara diplomatike “pronësohen” dhe propagandohen si arritje e kësaj apo asaj qeverie, do nënvizuar se meritat për to u takojnë po ashtu qeverive dhe shërbimeve tona të mëparshme diplomatike.
Në këtë mënyrë, do të shmanget çdo teprim dhe abuzim me “daulle dhe tamtame” folklorike për të tilla hapa dhe evente, duke i kthyer ato në “fishekzjarrë” apo shashka zgjedhore; duke i hiperbolizuar, duke bërë krahasime të pakrahasueshme dhe pa asnjë kuptim me periudhën e monizmit, kur dihet se ishin të mbyllur dhe as që bëhej fjalë për gjëra të tilla të ndaluara me Kushtetutë.
Natyrisht që secila forcë politike, ca më tepër ajo në pushtet ka të drejtën e vet për të bërë dhe propagandë, gjithsesi të matur, sidomos në prag fushatash zgjedhore. Vetëm se me realpolitikën, me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë kërkohet kujdes i veçantë, mbasi gjithçka të kthehet në bumerang.
Siç thoshte Kenedi emblematik “politika e brendshme të mund, ndërsa e jashtmja të vret”. Ndaj, në vend të shfaqjeve dhe spektakleve të tepruar propagandistikë me hapat dhe arritjet tona diplomatike është më e udhës të bëhen analiza të gjera dhe të thella, duke nxjerrë, krahas aspekteve pozitive se ku kemi çaluar, pse jemi vonuar, si mund të shpejtojmë ritmet, si të jemi më gjithëpërfshirës dhe më efektivë, pa “privatizime dhe paragjykime partiake.
Parë kështu, dhe mikpritja e disa samiteve dhe veprimtarive kulturore dhe sportive, përfaqësimi ynë në forume të larta ndërkombëtare nuk ka pse të na bëjë të kalojmë në eufori propagandistike. Po të ishim në vitet e para të pluralizmit, kjo gjuhë euforike do të ishte e pranueshme dhe e kuptueshme.
Por të “rrahim gjoksin” tani se bëmë një samit apo se u zgjodhëm këtu dhe atje, apo se Tirana u zgjodh kryeqyteti i Mesdheut, kur kemi plot 35 vite pluralizëm dhe hapje ndaj botës, kjo “nuk zë vend dhe nuk ka jehonë reale.
Në fund të fundit kemi bërë thjesht detyrën, atë që na takon prej dekadash, madje me shumë vonesë. Dukuria tjetër negative në këtë mes është se vonesat apo edhe dështimet e pajustifikueshme po tentojmë t’i shesim si suksese të radhës.
Konkretisht, ne kryesuam OSBE-në vërtet, por ama shumë vonë, 29 vite mbas anëtarësimit atje! Vështirë të kishte mbetur vend tjetër dhe nga rajoni pa e kryesuar një herë dhe më shumë! Atëherë përse do bërë aq shumë bujë dhe zhurmë, kur ca më tepër nuk është se pati garë me ndonjë vend tjetër, por ajo u caktua me konsensus dhe me kompromis? Dhe ca më keq, pse duhej përmendur se e kryesuam për herë të parë mbas 45 vitesh, nga krijimi i saj më 1975?! Kur dihet fare mirë se atëherë as që e njihnim KSBE-në, të vetmit që refuzuam ftesën e saj në vitin 1973, sepse e quanim “Konferenca e mossigurisë europiane” mbasi aty ishin “dy armiqtë më të mëdhenj të njerëzimit, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik”?
Po kështu, pa mohuar rëndësinë e tij, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u pranuam si anëtarë të përkohshëm 32 vjet mbas vendosjes së pluralizmit, kur të gjitha vendet e tjera kishin hyrë me kohë atje dhe në forumet më të larta të OKB-së. Madje, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur kryetarë të Asamblesë së Përgjithshme, por prapë nuk kanë bërë aq bujë! Apo Luksemburgu i vogël që ka pasur 2 presidentë të Komisionit Europian dhe prapë pa ‘show’ dhe eufori! Po aq të rëndomta tingëllojnë mburrjet se kemi mikpritur 3–4 samite të BE-së në Tiranë dhe atë të Procesit të Berlinit.
Pa dyshim ngjarje me rëndësi, por jo të hiperbolizohen, a thua se “kemi bërë namin”! Mikpritja e samiteve shumë më të vështirë dhe të gjatë është bërë me kohë rutinë për të gjitha vendet dhe ato në rajonin tonë. Madje ne jemi më të prapambeturit në këtë fushë për vetë vonesat në proceset e anëtarësimit në BE dhe mungesave infrastrukturore. Pastaj nuk kishte si të bëheshin më parë samite të tilla në Tiranë, qoftë dhe simbolike, mbasi 10 vitet e fundit u rropatëm për çeljen e negociatave dhe tani u krijuan kushtet e akumuluara prej kohësh. Bujë dhe zhurmë e madhe se më 2027 do të mikpresim Samitin e NATO-s me njoftimin jokorrekt se do të vijë Trumpi, meqenëse është Presidenti i SHBA-ve.
Po kush e di nëse ai do të vijë dhe nuk dërgon zëvendësin e tij apo sekretarin e shtetit siç dhe ka ndodhur? OK, mund të jepet njoftimi, por pa emra. Por edhe këtu i njëjti problem. Kemi 19 vite anëtarë të NATO-s, kemi mikpritur forume të saj të ndryshme dhe tani na vjen radha edhe ne për një samit në Tiranë.
Çka këtu për aq bujë dhe zhurmë kur “kemi shkuar me lugë në brez” te vendet e tjera anëtare në 20 vitet e fundit? Shkurt hesapi, është një detyrë që duhet ta kishim bërë dhe më parë dhe aq. Fakti që vendoset shumë kohë më parë për një samit të tillë nuk bëhet për ‘show’ dhe propagandë, por me qëllim që të ketë kohë për përgatitjet e rastit. Përderisa jemi anëtarë në një forum, e kemi detyrim të mikpresim të gjitha llojet e forumeve deri te Samiti. Pikë!
Dhe më qesharakë jemi bërë me festimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE 3- 4 herë në 5 vitet e fundit – më 2020, 2022 dhe në tetor 2024. Kur tipari kryesor i tyre është vonesa e madhe dhe e pajustifikuar historike, një dështim i madh i klasës sonë politike, të majtë dhe të djathtë, pa mohuar kusuret e BE-së, sidomos vitet e fundit.
Dhe tani çelja e kapitujve quhet prapë historike, po kur të mbyllen çfarë epiteti do t’u vëmë!? Kryeministri Rama tha në Athinë më 2 mars se duhet të hyjmë në BE përpara se “ajo të na e dredhë përsëri bishtin”, kur për hir të së vërtetës, BE-ja më së shumti na e ka “krehur bishtin”, sidomos pushtetarëve tanë! Flasim dhe bërtasim se po bëjmë reformën unikale të drejtësisë, që asnjë vend tjetër nuk e ka bërë. Dakord, por e bëjmë ne sepse asnjë vend tjetër nuk e ka shkallën e krimit dhe korrupsionit më alarmante se ne. Dhe nuk kishte se si dhe pse të bëhej as 30 vite më parë, sepse as korrupsioni dhe as krimi nuk ishin bërë aq masivë dhe të frikshëm; veç kësaj, vendi atëherë kishte synime dhe telashe të tjera madhore Euro-Atlantike! Çdo gjë në kohën e vet! Pastaj shkohet deri aty sa integrimi dhe reforma e drejtësisë “privatizohen” nga PS-ja, kur dihet se ato u miratuan me konsensusin e të gjitha forcave politike.
E megjithatë, për ironi të fatit, tamam kur organizata “Transparency International” më 11 shkurt dhe vetë Kryeministri Rama përgëzonte punën e SPAKU-t, një ditë mbas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj dhe më vonë, Rama përgënjeshtroi veten duke shigjetuar SPAKU-n me reagime nga BE-ja dhe strukturat tona të drejtësisë. Efektin bumerang të veprimeve të tilla për show dhe spektakël e tregoi qartë dështimi i kompanisë së mirënjohur ndërkombëtare “Shell” për të zbuluar rezerva komerciale nafte, duke ia “hequr kallajin” euforisë propagandistike qeveritare, e cila në këtë rast zbatoi thënien e urtë “peshku në det, tigani në zjarr”.
E njëjta gjë po ndodh me propagandën mbi përmasat e bumit turistik. Dukuri vërtet pozitive dhe për t’u përshëndetur puna e qeverisë dhe e ministrisë përkatëse, me shumë përfitime për vendin në të gjitha aspektet. Mirëpo jo të politizohet dhe propagandohet si “fitore e vijës së partisë”. Turistët nuk vijnë për qeverinë dhe për sytë e bukur të njërit dhe të tjetrit, por për bukuritë natyrore të vendit tonë dhe traditat tona të njohura. Natyrisht që edhe këtu puna e 3 dekadave të fundit dhe transformimet infrastrukturore kanë dhënë efektet e tyre.
Kjo shpjegon dhe faktin se në Panairin e sivjetshëm Botëror të Turizmit në Berlin, të çelur më 4 mars, Shqipëria është e ftuar nderi. Gjë shumë e mirë për promovimin e turizmit tonë.
Gjithsesi, rikujtojmë se vendi ynë ka qenë pjesëmarrës aktiv në atë panair në 30 vitet e fundit, në vitin 2002 isha në Ambasadën tonë në Berlin dhe bashkë me Ministrinë e atëhershme të Turizmit të drejtuar nga i ndjeri Bashkim Fino punuam dhe vendi ynë u përfaqësua me një pavion të madh dhe tërheqës me shumë materiale publicitare.
Natyrisht që puna, përpjekjet, reformat e 20 viteve të fundit, modernizimi i infrastrukturës dhe shumë masa të tjera promovuese të kësaj qeverie në 10 vitet e fundit e kanë bërë të vetën. Por prapë nuk ka vend për eufori, sepse nuk ka mbetur vend tjetër në botë dhe as në rajonin tonë të shquar për turizëm që të ketë qenë i ftuar nderi në këtë panair dhe bursë të famshme turistike. Ca më tepër kur mendon se kërkohet kujdes dhe vëmendje shumë më e madhe që ky turizëm të jetë cilësor, elitar dhe i qëndrueshëm e jo “flakë kashte”, duke dëmtuar dhe mjedisin e vendit. Së fundi, propaganda mbi këto hapa dhe arritje do të ishte më efektive nëse paraprihet dhe shoqërohet me rritjen e ndjeshme të treguesve socialë-ekonomikë e jo të “kënaqemi me lugën bosh” dhe me përmirësime kozmetike.
Më konkretisht, bëhet fjalë për koston e jetesës, të çmimeve, pagat minimale, pensionet, punësimin etj., ku ne vazhdojmë të renditemi në fund të tabelës rajonale. Përmirësimi cilësor i këtyre treguesve do t’ia shtonte vlerën dhe samiteve, forumeve dhe eventeve diplomatike, brenda dhe jashtë vendit.
Të mos na gënjejë mendja, liderët europianë, pavarësisht nga gjuha e butë prej gëzofi dhe elozhet diplomatike që përdorin kur vijnë te ne, i kanë në dosje të gjitha shifrat dhe treguesit, duke na thënë me lezet dhe “me pambuk” që të kryejmë reformat.