Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se sot është konfirmuar një tjetër rasti i pranisë së sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1), në një stabiliment mbarështimi dhe prodhimi shpendësh në zonën e mbrojtjes së karantinuar në fshatin Maliq Muҫo, Durrës.
Shërbimi veterinar së bashku me përfaqësues të MBZHR kanë konstatura 1848 shpendë të ngordhur. Në ditën e sotme janë monitoruar 211 ferma me 2958 krerë nga 5 grupe Veterinerësh Zyrtarë të Kontrollit të pranishëm në terren.
Njoftimi i Ministrisë:
Janë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 200 datë 3.3.2025 dhe Urdhri 240, datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”.
Njoftojmë fermerët dhe mbarështuesit e cilësdo lloj specieje shpendësh se vijon të jetë e ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit Nr. 240 datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:
– Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
– Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
– Lejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë sipas tabelës 4, të shtojcës 5, të Urdhrit Nr. 177, datë 28.3.2023 “Për miratimin e Programit Kombëtar të Mbikëqyrjes së Influencës Aviare”, vetëm me autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj Sëmundjes së Influencës Aviare dhe të jenë shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
Shërbimi Veterinerar Rajonal po mbikqyr dhe monitoron nëpërmjet gjurmimit dhe kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV.
Vetëm ditën e sotme janë monitoruar 211 ferma me 2958 krerë nga 5 grupe Veterinerësh Zyrtarë të Kontrollit të pranishëm në terren. Gjithashtu, është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon fermerët dhe shpendërritësit në të gjithë vendin të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.
Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: info@akvmb.gov.al dhe evitimi i kontaktit me shpendët e dyshuar.