Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka komentuar përplasjes Rama-Veliaj për kryetarin e komanduar të bashkisë së Tiranës që nisi dy ditë më parë. Ai tha se pasi Veliaj emëroi Sara Goxhajn, Edi Rama e shkarkoi dje dhe kryetari i bashkisë në burg mori kthesën e fortë duke anuluar urdhrin e dytë dhe lënë në fuqi të parin që kryetare e komanduar të jetë Anuela Ristani.
“5 ditë më parë Edi Rama i kishte besuar firmën e Erion Velisë një Anuela, apo Anduela Ristani. Zonja Ristani doli dje në një media dhe u betua dhe stërbetua se ajo nuk është njeriu i Edi Ramës.
Unë do i shtroj një pyetje, nëse ti (Ristani) nuk je njeri konfidente e Ramës si pranon ti urdhrin anti-kushtetues të Edi Ramës? Se kush do të drejtojë bashkinë, ka tagër të përcaktojë këshilli bashkiak me Kushtetutë.
Në një mënyrë apo tjetër delegimi i firmës është e drejtë personale e atij që beson firmën, se firma nuk i jepet kujtdo. Rezulton se Ristani, që betohet se nuk është konfidente e Ramës, por pranon emërimin anti-kushtetues të saj në krye të bashkisë.
Erion Veliaj ndalon sekretarin e përgjithshëm me policë, urdhëron policinë bashkiake nga qelia, që të mos e lejoni atë Halilin, këtë e di vetëm Rama apo Dumani që janë në këtë skenar.
Marrim momentin tjetër, pasi Veliaj vendosi të shkarkojë Ristanin dhe emërojë Sara Goxhajn në emër të tij, ai bën një “salto mortale”- thotë se kjo ishte një keqkuptim dhe këtë e bëri nga një kërcënim mafioz i Ramës që vendosi shkarkimin e Veliajt.
Dhe me t’u marrë vesh shkarkimi i Veliajt, Veliaj sikur të ishte në zyrë në Tiranë dhe jo në qeli në Durrës…o ku e mori vesh ai (Veliaj) që u shkarkua dje në orën 2 të ditës?!
Këtu bëhet një lojë mafioze, betejë psikologjike e paimagjinueshme. Kush ia tha atij që Rama vendosi shkarkimin e tij? Dhe Veliaj merr kthesën dhe thotë se ishte keqkuptim dhe thotë se mbetet në fuqi emërimi i Ramës për zonjën Ristani” tha ai.