Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar mbrëmjen e sotme në selinë blu, një takim me kandidatët për deputetë të Aleancës Shqipëria Madhështore për Qarkun e Tiranës.
Berisha udhëzoi kandidatët që të krijojnë ekipet e tyre në terren, pasi ‘Leva e Arkimedit’, për fitoren në 11 maj, janë takimet me qytetarët.
Ai u shpreh se kandidatët duhet të jenë në takime 8 deri në 12 orë në ditë. Berisha nënvizoi se ata duhet të komunikojnë, të shkojnë derë në derë, të dorëzojnë fletëpalosjet.
“Pra, gjithçka duhet të bëjmë, takimin me qytetarin. Donald Trump pati si Levë Arkimedi në këtë fushatë, takimin me qytetarin.
Takimin e përfaqësuesve të tij me qytetarin. Dhe ata konstatuan për herë të parë, një shifër që nuk është dhënë më përpara, mundësinë e ndryshimit të mendimit të një të tretës së atyre që takohen. Shifër shumë e lartë kjo që duhet vlerësuar në shkallë maksimale.
Por, problemi është si duhet ta zbërthejmë takimin ne?
Takimin sigurisht që ju 8 deri në 12 orë në ditë duhet të jeni në takime. Por këto nuk mjaftojnë. Duhet përfaqësuesit tuaj, jo një, por mundësisht tetë, dhjetë të takojnë njëlloj si ju në mënyrë të pavarur nga ju.
Të shkojnë derë në derë, të dorëzojnë fletëpalosjet. Po t’u thonë edhe dy fjalë.
Dikush në tavolinë të kafenesë mund të thotë, të lutem shumë, nuk kam prirje për të të dëgjuar. Nuk ka gjë, shkon tek tjetri.
Por krijimi nga ju i ekipeve me preferencë një i ri ose dy të rinj, ose një i ri dhe një i rritur, është emergjencë, është e domosdoshme.
Sado që të bëni vetë, Tirana është një oqean, nuk dominohet. E kuptoj atë përkushtimin tuaj, por prapë… lagjet janë, po marr Kombinatin, 72 mijë banorë. Mund të kenë lagje që kanë edhe më shumë.
Ndaj duhet të bëni çdo gjë që të krijoni këto ekipe. Të komunikoni, të regjistrojnë ama.
Sot këto takova në këtë rrugicë, në këtë numër apartamentesh hyra, që të bëjmë një bilanc pune çdo natë.”, tha Berisha.