Ndihesha i turpëruar, ndihesha i përbuzur teksa shihja ish-presidentin e mëmëdheut tim, Ilir Metën, brenda kafazit të xhamit, sikur të ishte krimineli më i madh që ndonjëherë ka nxjerrë para gjyqit Shqipëria.
Dhe ndërsa më ngulfaste ai turp dhe ajo përbuzje, pyesja vetveten: mos vallë mëmëdheu ynë është zhytur aq thellë në baltën e mosrespektit ndaj vetvetes, sa të baltosë edhe të gjithë kalendarin e atyre që dikur i ngriti lart, e që sot i akuzon për veprime të jashtëligjshme?
Nuk kishte si të mos ndihesha i turpëruar dhe i përbuzur, thuajse sikur edhe unë të isha në atë kafaz prej xhami, ngaqë me ish-presidentin e mëmëdheut tim isha takuar disa herë në pallatin ku priteshin mysafirët dhe ku përfaqësohej mbarë shqiptaria.
Dhe teksa i rikujtoja ato takime, pyesja vetveten: vallë kjo është ajo Shqipëri që duhet të mësohet ta respektojë të shkuarën e vet dhe, në emër të atij respekti, t’i trajtojë siç duhet ata që kanë përfaqësuar fytyrën e saj?
Sot jam shumë i turpëruar dhe i lënduar, sepse di vende ku burrështetasit kanë bërë krime të papërshkrueshme, por janë gjykuar me dinjitetin që u takon – dinjitet që duhet ta ruajë edhe shteti ndaj atyre që dje kanë qenë fytyra e tij.









