Zv.presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat foli për situatën ekonomike dhe sociale në Shqipëri në këto 12 vite.
Xhixho tha se në 12 vite në qeverisjen e Edi Ramës ka qenë pasurimi i oligarkëve dhe rrënimi ekonomik i shqiptarëve. Ajo u shpreh se në shkollat e Tiranës vijon mësimi me turne sepse sipas saj paratë e qytetarëve të Tiranës kanë shkuar në gropat e korrupsionit të inceneratorit dhe kompanisë 5D.
“Shqiptarët kanë paguar miliarda lekë taksa, por nuk kanë marrë mbrapsht shërbime. Vetëm me taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, Bashkia e Tiranës ka mbledhur rreth 62 milionë euro.
Por në shkollat e Tiranës vijon edhe sot mësimi me turne. Sepse paratë e qytetarëve të Tiranës kanë shkuar në gropat e korrupsionit të inceneratorit dhe kompanisë5D.
Kriza e çmimeve e ka rrënuar ekonominë familjare të shqiptarëve, por qeveria, e ka refuzuar propozimin tonë për reduktimin e TVSH-së për produktet e shportës.. Dhe është e njëjta qeveri që në vitin 2013 premtoi se do ta bënte zeronte atë. Mashtrim! TVSH në vend është sot 20%, më e larta në rajon.
Ne jemi të fundit në Europë për fuqinë blerëse dhe për pagën minimale, për nivelin e pensioneve dhe skemat e ndihmës sociale. Por kemi çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike dhe taksën më të lartë të karburanteve.
Të gjitha këto flasin qartë për mungesën e shtetit social në Shqipëri dhe qeverisjen e korruptuar, e cila qytetarin e ka të fundit në listën e prioriteteve. Sepse i vetmi prioritet i qeverisë së Edi Ramës ka qenë grabitja, korrupsioni, zhvatja dhe rritja e pandalshme e taksave.”, tha Xhixho.
Ajo bëri thirrje që me 11 maj shqiptarët të votojnë Aleancën për Shqipërinë Madhështore, pasi do të ulen taksat dhe do të ndërtohet një Shqipëri me fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon.









